Në Shtëpinë e Ushtrisë së Serbisë në Beograd është mbajtur ceremonia përkujtimore për ish-komandantin e Ushtrisë së Republikës Srpska, Ratko Mlladiq, i cili vdiq në Hagë derisa po vuante dënimin me burgim të përjetshëm për gjenocid dhe krime të tjera të kryera gjatë luftës në Bosnje e Hercegovinë.
Ndonëse Mlladiqi ishte dënuar përfundimisht për gjenocidin në Srebrenicë, krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës, përfshirë krimet gjatë rrethimit të Sarajevës, në ceremoninë përkujtimore mori pjesë edhe ministri i Drejtësisë i Serbisë, Nenad Vujiq, raportoi agjencia serbe e lajmeve Beta.
Para hyrjes së Shtëpisë së Ushtrisë ishin krijuar dy radhë me rreth 150 persona që prisnin të hynin, ndërsa rreth 200 të tjerë ndodheshin në parkun përballë ndërtesës. Disa prej tyre mbanin uniforma ushtarake.
Përveç familjarëve të Mlladiqit, në ceremoni morën pjesë ish-pjesëtarë të Ushtrisë së Republikës Srpska, veteranë dhe qytetarë. Sipas raportimit të agjencisë Beta, në mesin e pjesëmarrësve kishte edhe persona që vazhdojnë ta konsiderojnë Mlladiqin hero dhe mohojnë krimet e rënda për të cilat ai është dënuar.
Shumë nga mbështetësit që thanë se kishin ardhur për t’i bërë nderime ishin të veshur me të zeza, ndërsa disa mbanin bluza me portretin e Mlladiqit dhe mbishkrimin “hero”.
Në hyrje të ndërtesës ishte krijuar turmë, pasi jo të gjithë pjesëmarrësit mundën të futeshin brenda. Një grup ishte sjellë me autobus nga Bosnje e Hercegovina, ndërsa në mesin e të pranishmëve kishte invalidë të luftës, veteranë nga Republika Srpska dhe politikanë. Shumica e mbështetësve të Mlladiqit jashtë Shtëpisë së Ushtrisë nuk pranuan të flisnin me gazetarët.
Në fillim të ceremonisë, ku ishte i pranishëm edhe ministri serb i Drejtësisë, Nenad Vujiq, foli gjeneral-koloneli në pension Branko Kërga, i cili kishte qenë komandant brigade në periudhën kur shërbente edhe Mlladiqi. Në ceremoni mori pjesë edhe Radan Ostojiq, ministër i Punës dhe Mbrojtjes së të Drejtave të Veteranëve dhe Invalidëve në Republikën Srpska.
Ratko Mlladiq, ish-komandant i Ushtrisë së Republikës Srpska gjatë luftës në Bosnje e Hercegovinë, u dënua fillimisht me burgim të përjetshëm më 22 nëntor 2017. Më 8 qershor 2021, Dhoma e Apelit e Mekanizmit Ndërkombëtar Rezidual për Tribunalet Penale e la në fuqi dënimin për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës, përfshirë krimet në Srebrenicë dhe Sarajevë.
Mlladiqi ishte një nga të arratisurit më të kërkuar nga Tribunali i Hagës dhe arriti t’i shmangej arrestimit për afro 16 vjet. Për një periudhë ishte fshehur në objekte ushtarake, ndërsa më vonë në rrethin familjar dhe në lokacione të tjera në Serbi.
Ai u arrestua më 26 maj 2011 në fshatin Lazarevë, pranë Zrenjaninit në Serbi, në pronën e një të afërmi. Gjatë periudhës së fshehjes kishte përdorur identitetin Millorad Komadiq, ndërsa më 31 maj 2011 u transferua në Hagë.
Fshehja për vite me radhë e personave të kërkuar nga Tribunali i Hagës, veçanërisht Mlladiqit dhe ish-presidentit të Republikës Srpska, Radovan Karaxhiq, kishte krijuar probleme të vazhdueshme për Serbinë në marrëdhëniet me vendet e rajonit dhe me bashkësinë ndërkombëtare.
Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë e akuzoi Mlladiqin për herë të parë në korrik të vitit 1995, ndërsa aktakuza u ndryshua dhe plotësua disa herë. Procesi gjyqësor ndaj tij nisi në maj të vitit 2012 dhe përfundoi me fjalët përmbyllëse në dhjetor 2016, përpara shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë një vit më vonë./lajmishqip.net
