Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka mbrojtur idenë e tij për një integrim gradual të vendeve kandidate në Bashkimin Evropian, duke sjellë si shembull Serbinë dhe mënyrën se si, sipas tij, Evropa duhet të ndërveprojë me Beogradin.
Duke folur në Forumin Cernobbio në Itali, Rama iu referua edhe Ratko Mlladiqit, ish-komandantit të Ushtrisë së Republikës Srpska, i dënuar për gjenocid dhe krime lufte, ndërsa komentoi debatin rreth mënyrës se si Serbia po e trajton vdekjen dhe ceremonitë për të.
Sipas Ramës, pikërisht raste të tilla dëshmojnë pse Serbia duhet të jetë e përfshirë në tryezën evropiane, ku vendeve kandidate mund t’u kërkohet llogari dhe t’u bëhen të qarta standardet që duhet t’i respektojnë.
“S’mund të bësh funeral shtetëror për një kasap”, tha Rama, duke argumentuar se mbajtja e Serbisë jashtë proceseve evropiane nuk do të ishte alternativa më e mirë.
Kryeministri shqiptar përdori edhe një metaforë për ta përshkruar pozicionin e Serbisë në rajon, duke e quajtur atë një “lloj kafshe shumë interesante dhe të çuditshme në xhunglën e Ballkanit Perëndimor”.
“Serbia është një lloj ‘kafshe’ shumë interesante dhe e çuditshme në ‘xhunglën’ e Ballkanit. Por çfarë është më mirë? Ta kesh ulur rreth tryeze dhe t’i thuash ‘jo, nuk mund të bësh një funeral shtetëror për një kasap’ apo ta lësh aty në ujëra të pasigurta dhe të krijosh një situatë krejt skizofrenike midis Europës, Kinës, Amerikës, Rusisë e nuk e di se kujt tjetër, Vietnamit!”, deklaroi Rama.
Në këtë kontekst, Rama e lidhi shembullin e Serbisë me propozimin e tij për zgjerimin e BE-së, sipas të cilit vendet kandidate duhet të përfshihen gradualisht në strukturat dhe politikat evropiane, ndërkohë që vazhdojnë përmbushjen e kritereve të anëtarësimit.
Sipas kryeministrit shqiptar, çdo kapitull i përmbushur në procesin e negociatave duhet t’u mundësojë vendeve kandidate të përfitojnë gradualisht të drejta dhe të marrin pjesë në hapësirat përkatëse të Bashkimit Evropian.
“Kjo është qasja ime dhe duhet të ndodhë tani”, përfundoi Rama, duke argumentuar se përfshirja graduale do t’i jepte BE-së më shumë mundësi për të ndikuar drejtpërdrejt mbi vendet kandidate dhe standardet që ato duhet të respektojnë./lajmishqip.net
