Themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiq, ka kritikuar ashpër mënyrën se si autoritetet serbe kanë vepruar pas kthimit në Beograd të trupit të Ratko Mlladiqit, ish-komandantit të Ushtrisë së Republikës Srpska, i dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocid dhe krime të tjera të rënda të luftës.
Kandiq tha se mbulimi i arkivolit të Mlladiqit me flamurin e Serbisë dhe mënyra e pritjes së trupit të tij në Beograd dëshmojnë, sipas saj, se pushteti në Serbi nuk është distancuar nga e kaluara dhe se me veprime të tilla po dëmtohen institucionet dhe shpresa për një të ardhme ndryshe.
“Ky president serb, me këtë varrim dhe me nderimet që po i bëhen të dënuarit për gjenocid Ratko Mlladiq, tregon në fakt se nuk ka bërë asnjë tërheqje nga e kaluara e tij radikale dhe se po i shkakton dëme shtetit dhe të gjithë qytetarëve të këtij vendi. Sepse në Serbi jetojnë qytetarë të nacionaliteteve të ndryshme”, deklaroi Kandiq në Klan Kosova.
“Vuçiq vazhdimisht e inkurajon dhe e forcon nacionalizmin ekstrem. Ajo që kemi parë deri më tani është se në rrugë nuk ka të rinj që protestojnë, por mbetet të shihet se si do të zhvillohet situata sot dhe të hënën. Pastaj do ta kemi vlerësimin përfundimtar se ku gjendet ky vend dhe çfarë arriti Aleksandar Vuçiq dhe shërbimi i tij. Përfundimisht, Serbia nuk do të jetë e njëjtë pas kësaj ngjarjeje, pas këtij degradimi moral, politik dhe civilizues”, tha ajo.
Kandiq paralajmëroi gjithashtu për pasojat që kjo situatë mund të ketë në marrëdhëniet e Serbisë me vendet fqinje. Sipas saj, mënyra se si po trajtohet Mlladiqi pas vdekjes përçon një mesazh të qartë edhe ndaj viktimave dhe shteteve që u prekën nga krimet për të cilat ai është dënuar.
“Me vendimin për t’i bërë nderime Mlladiqit, presidenti serb ka treguar qartazi edhe qëndrimin e tij ndaj vendeve fqinje dhe ndaj viktimave, për të cilat është përgjegjës pikërisht ky gjeneral i dënuar. Pas këtij turpi të tmerrshëm, ai e mbylli hapësirën për komunikim dhe bashkëpunim; jo vetëm për pushtetin, por i solli të gjithë qytetarët në një situatë ku askush nuk e ka më të lehtë të komunikojë me fqinjët”, deklaroi Kandiq. /lajmishqip.net
