Zelensky i propozon SHBA-së partneritet strategjik për teknologji ushtarake dhe armatim

1 minute, 27 seconds Read

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i ka paraqitur Shteteve të Bashkuara një propozim strategjik, duke ofruar teknologjinë e avancuar të dronëve në këmbim të furnizimit me armë amerikane.

Në një intervistë dhënë për “The New York Post”, Zelensky theksoi se një marrëveshje e tillë do t’i shërbente interesave të të dy kombeve.

“Populli amerikan ka nevojë për këtë teknologji dhe ju duhet ta keni atë në arsenalin tuaj,” deklaroi ai, raporton lajmishqip.

Ai potencoi se Ukraina është e gatshme të ndajë me SHBA-në dhe aleatët europianë përvojën e saj të luftës moderne, të fituar nga përballja trevjeçare me Rusinë. Si pjesë e këtij partneriteti, Ukraina do të angazhohej për blerjen e armëve amerikane, ndërsa do të ndante eksperiencën dhe teknologjinë e zhvilluar në fushën e dronëve dhe taktikave ajrore.

Zelensky bëri të ditur se diskutime të ngjashme po zhvillohen edhe me shtete si Gjermania, Danimarka dhe Norvegjia, me synim krijimin e një qasjeje të përbashkët për mbrojtjen dhe inovacionin ushtarak.

Ky propozim vjen pak ditë pas deklaratës së presidentit amerikan, Donald Trump, i cili më 14 korrik pohoi se SHBA do të vazhdojë furnizimin e Ukrainës me armë, por me kusht që kostot të mbulohen nga shtetet evropiane. Pas kësaj, ai zhvilloi një bisedë telefonike me Zelenskyn për të diskutuar çështjen.

Sipas analistëve të sigurisë të cituar nga NY Post, SHBA-ja ende nuk posedon disa nga aftësitë që Ukraina ka zhvilluar në teknologjinë e dronëve – fushë kjo që është bërë thelbësore në luftën moderne dhe tashmë po kërkohet nga vendet anëtare të NATO-s, raporton lajmishqip.

Publikime te ngjashme