Jo muajt, por “javët e ardhshme janë vendimtare”, shkroi Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, për zbatimin e të gjitha dispozitave të Marrëveshjes Bazike, e në shënim të posaçëm: “zbatimin e Asociacionin e Komunave të populluara me shumicë serbe”.
Dhe këtë mesazh ai e dha mu në letrën uruese për Pavarësinë e Kosovës më 17 shkurt të dërguar Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani; letër kjo e cila kaloi në heshtje dhe e postuar vetëm në Presidencën e Kosovës, ndërsa nga ajo e përçuar vetëm aspekti urues.
“Javët e ardhshme do të jenë vendimtare do të jenë vendimtare për zbatimin e të gjitha dispozitave të marrëveshje të arritura në Ohër-Bruksel, përfshirë themelimin e Asociacionit e Komunave të banuara me shumicë serbe, e cila përfshin në veçanti organizimin e zgjedhjeve të reja lokale me pjesëmarrjen e serbëve”, shkruan Macron në letrën dërguar Osmanit.
“Unë shpresoj që Kosova të marrë vendimet e guximshme që janë të nevojshme dhe që do t’i mundësojnë të përparojë në trajektoren evropiane”, ka vijuar më tej ai, duke e ndërlidhur – siç edhe është – trajektoret evropiane me zbatimin e marrëveshjes; e cila është e qendërzuar në Asociacionin.
Çka javët e ardhshme? Është Samiti evropian që mbahet në mars e ku pritet që Marrëveshja Bazike dhe Aneksi i Zbatimit të ingranohet si kusht për rrugët evropiane të Kosovës dhe Serbisë; kësaj të fundës përmes amandamentimit të Kapitullit 35 të bisedimeve për anëtarësim në BE; ndërkaq Kosovës në futjen e marrëveshjes në agjendën e Grupit Special të Kosovës për normalizim.
Kjo gjë kishte qenë edhe vetë zotimi i Përfaqësuesit të Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, se përmes këtyre dy amendamenteve “të dyja palët do të jenë të obliguara nga marrëveshja në rrugën tyre drejt BE-së” dhe që “mospërmbushja e tyre do të vijë me pasoja”.
Në anën tjetër, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka lënë të kuptohet që s’e zbaton marrëveshjen pa firmosje të saj bilaterale me Serbinë; teksa edhe është shprehur se në Bruksel shkon “nëse më ftojnë për nënshkrim”.
Tjetër gjë, megjitatë, thotë kryenegociatori Besnik Bislimi – i cili tha se Kosova pret që “të miratojë draft-Statutin” e Asociacionit pasi që Serbia t’i ketë përmbushur njohjen e të gjitha dokumenteve. E madje, për çudinë e shumë kujt, ai tha se “ky është pozicioni i të gjithëve, përfshirë edhe Serbisë”.
“Në momentin kur të jemi gati për themelimin e Asociacionit, ose çfarëdo emri që do t’i japim Serbia duhet ta ketë të kompletuar njohjen de-facto të Kosovës. Ky është pozicioni i të gjithëve, përfshirë edhe Serbisë. Atë se çka thonë publikisht është veçse për konsum të brendshëm; por atë që thonë në Bruksel thonë do ta njohim plotësisht de fakto Kosovën”, ka thënë Bislimi kohëve të fundit në Radio Gorazdevac.
Në perspektivën e tyre vendimi i parë që duhet të bëjnë është njohja e të gjitha dokumenteve, pasaportave, të gjitha çka institucionet kosovare prodhojnë në momentim kur ne pranojmë draft-Statutin”, tha mes tjerash ai.
“Katër faza janë deri të Asociacioni– e para pranimi i draft-Statutit, e dyta është vendimi i GJK-së, pastaj vendimi i Qeverisë, e katërta është procesi i themelimit – në krejt këto katër faza Serbia duhet të jep elementet e njohjes de-facto”, shtoi ai.
Bislimi, njoftoi se draft-Statuti i Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe do t’i nënshtrohet rishikimit kushtetues në Gjykatën Kushtetuese – ndonëse në po atë intervistë goditi rëndë Gjykatën Kushtetuese duke e quajtur “jo kredibile”, “jo kompetente”, dhe vendimet i saj “produkt i një medisi të korruptuar” si dhe mohoi se do të veprojnë në bazë të vendimeve të tyre “po qe se ato vendime i keqshërbejnë drejtësisë”.