Çështja e ndalimit të dinarit vazhdon të jetë një nga temat kryesore në vend.
Së fundi, kishte edhe takime në Bruksel në lidhje me këtë temë, por që nuk u arrit asnjë marrëveshje mes dy palëve, Kosovës e Serbisë.
Madje, kjo çështja ka nxitur edhe diplomatët ndërkombëtarët të shpërthejnë me kritika ndaj Kosovës, e në anën tjetër kanë “mbështetur” Serbinë.
E në lidhje me këto zhvillime, në një bashkëbisedim me “Bota sot” ka folur publicisti nga Gjermania, Idriz Zeqiraj.
Së pari, ai u shpreh se vendimi për dinarin është i duhur dhe se tani Vuçiqi dhe të tjerët në Serbi janë në “hall” pasi do pengohen në vjedhjet e tyre.
Publicisti përmendi edhe një deklaratë nga Beogradi ku thuhet se janë më shumë janë edhe më shumë se 5.000 shqiptarë nga Kosova, që marrin para-dinarë nga Serbia.
“Çështja e ndalimit të dinarit, bartja me thasë, pa asnjë kontroll, është vendim i duhur. Zyrtarët e Serbisë, me Vuçiqin në krye, janë në hall të madh, sepse do të pengohen në vjedhjen industriale, të parave të qytetarëve të Serbisë. Veç kësaj, Beogradi zyrtar ka deklaruar se janë edhe më shumë se 5.000 shqiptarë nga Kosova, që marrin para-dinarë nga Serbia. Sigurisht, në mes tyre ka edhe agjentë të paguar nga Serbia. Dhe, Serbia ngulmon të mos zbulohen agjentët e saj dhe këtë e ka pohuar botërisht. Pra, Serbia ka hallet e hajnisë dhe të konspiracionit.
Ndërsa ngulmimi i ndërkombëtarëve, për të vazhduar përdorimin pa afat të dinarit në Kosovë, me përjashtim të ambasadorit Jefry Hovenier, është nga provokimet e rënda dhe pa asnjë mbulesë arsyetimi. Është rrenë e kulluar të thuhet se dinarët e Serbisë janë mbijetesë për serbët e Kosovës. Sepse në Kosovë pensionet dhe ndihmat sociale, janë të garantuara me ligj, për të gjithë qytetarët, pavarësisht përkatësisë nacionale. Kjo është pagesë shtesë, qysh i paguante me rrogë Serbia e vjetër dhe Mali i Zi, kolonët serbë e malazezë në Shqipëri dhe Kosovë, për t`u bërë hisedarë në shtetet fqinjë. Është turp i madh, mbrojtja e 7 (shtatë) komunave ilegale, të cilat abuzojnë me lëshimin e dokumentacioneve të paligjshme, paralele. Këtë faj-krim e bënë edhe ndërkombëtarët, të cilët, paradoksalisht, vajtuan krahas serbëve abuziv dhe thyerës të ligjeve shtetërore!” – shpjegoi ai.
Krahas kësaj, Zeqiraj tha se qeveria Kurti ka problem me ndërkombëtarët, pasi nuk po gjen mbështetje për vendimet e duhura, të cilat janë pjesë e sovranitetit shtetëror.
“Janë stisje e shpifje e përsëritur, kinse, Qeveria nuk konsultohet, nuk koordinohet me BE-në, SHBA-në, pra, me partnerët?! E vërteta është se për të gjitha rastet janë pyetur dhe konsultuar me ndërkombëtarët, partnerët. Edhe marrëveshjen për targat vendore, Serbia nuk i lejonte serbët e Kosovës. Cinikisht, ndërkombëtarët me batonët, buzhalët, matoshët, molliqët dhe lakejtë të tjerë, targat i quanin “teneqe”! Por, në fakt ishin pjesë e sovranitetit shtetëror. Me kot u akuzua Qeveria se “nuk qenkan njoftuar e konsultuar me partnerët për ndalimin e dinarit”? Por, rezultoi e kundërta dhe James O`Brian e pranon konsultimin paraprak: “Ndonëse SHBA kishin këshilluar Qeverinë e Kosovës kundër një veprimi të tillë, (lexo: mos ndalimin e përdorimit të dinarit – shënimi im), ajo vendosi ta zbatojë atë”.
Qeveritarët e Kosovës janë në hall me ndërkombëtarët. Për të gjitha shkeljet e Kushtetutës të Kosovës, të bëra nga serbët në veriun e Mitrovicës, me aprovimin e Hashim Thaçit, me “komandantët” e tij, të shantazhuar me dosje krimesh hajnore e vrastare, korrigjimi i tyre nga Qeveria Kurti, ka hasur në rezistencën e Beogradit zyrtar. Kjo rezistencë ka mbështetjen e ndërkombëtarëve, me premtimin se duhet pritur deri “ne kalendat greke”, në infinit, pambarim! Me arsyetimin klishe: “Se po provokohen serbët, Serbia, po dëmtohet normalizimi i marrëdhënieve dhe broçkulla të tjera”.
Në vazhdim, ai kishte edhe disa komente për ambasadorin Hill dhe deklaratat e tij lidhur me Kosovën dhe vendimet e qeverisë sonë.
Po ashtu, përmendi edhe faktin se Hill ka qenë kundër bombardimit të Serbisë, si dhe kundër pavarësisë së Kosovës.
“Christopher Hill pranon se gaboi kur lejoi themelimin e Asociacionit për 14 komunat me shumësi serbe në Bosnje, e cila brenda më pak se dy vitesh, rezultoi me krijimin e “Republika Srpska”! Dhe, tani, kur DASH e shpallë “non grata” kriminelin Dodik, ai thotë se se “atë-letër-vendim të Amerikës e përdor si letër higjenike”. Diçka të tillë do të thoshte nesër, një Dodik tjetër i – Republika Srpska – të Kosovës!
Thonë se “kush pendohet dy herë, për të njëjtin faj”, – është hipokrit. Prandaj, duhet ndihmuar ambasadori Hill, që të mos bejë fajin e dytë, pas atij në Bosnje, për ta krijuar një palo Asociacion njëetnik në Kosovë, kur dihet se Kushtetuta e Kosovës nuk e lejon. Nga ngulmimi i tij, me kolegët amerikanë dhe evropianë, po tentohet të asfiksohet shteti i Kosovës.
Cris Hill ka qenë “kundër bombardimit të Serbisë, si dhe kundër pavarësisë së Kosovës, por, vetëm për një autonomi të zgjeruar!” Shumë sinjifikative, domëthënëse, si po “rastisin” dhëndurë dhe miq të rreshkur të Serbisë, për të qenë në poste vendimmarrëse për çështjen e Kosovës. Madje, jo vetëm nga Amerika mike e jona, por edhe nga Franca, mike tradicionale e Serbisë”, theksoi ai.
Më tej, publicisti nga Gjermania konsideron se Serbia dhe serbët që jetojnë në Kosovë po këmbëngulin për dinarin dhe po presin vetëm edhe Asociacionin.
E për këtë tha se është koha për të menduar dhe vepruar për sovranitetin e mirëfilltë të Kosovës.
“Paradoksalisht, arsimin dhe shëndetësinë, në komunat dhe vendbanimet serbe, në Kosovë, i menaxhon Beogradi! Tani ngulmojnë ta kenë edhe monedhën e veçantë të tyre – dinarin. Presin vetëm Asociacionin dhe bëhen Serbi! Pse ndodhë kjo? Çfarë Pavarësie është kjo, e Kosovës, kur, ligjërisht e ka njohur edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë?! Është koha për të menduar dhe vepruar për sovranitetin e mirëfilltë të Kosovës. Gjithnjë aktuale, porosia e urtakut Rugovë: “Zyrtarët e shantazhuar të mos lejohen të ngritën në postet e larta shtetërore dhe pushtetarare, sepse janë të rrezikshëm për Kosovën!”” – përmbylli Idriz Zeqiraj për “Bota sot”.