Çfarë kërkon Turqia në Siri, cili është plani i Erdoganit

1 minute, 45 seconds Read

Pas fillimit të luftës civile siriane në vitin 2011, Irani dhe Rusia e mbështetën Assadin, ndërsa Turqia i mbështeti grupet rebele që e kundërshtuan sundimin e tij.

Irani kishte nevojë që Assadi të qëndronte në pushtet për ta përdorur Sirinë si platformë për t’i financuar dhe armatosur partnerët dhe përfaqësuesit e vet, veçanërisht grupin libanez Hezbollah.

Për Rusinë, sundimi i Assadit ua mundësonte Moskës ta mbante bazën ajrore Hmeimim dhe bazën detare në Tartus, duke i siguruar asaj qasje më të lehtë në Lindjen e Mesme, Afrikën e Veriut dhe Detin Mesdhe.

Nga ana tjetër, Ankaraja në Siri e donte një qeveri në më të përshtatshme me vizionin dhe politikat e saj rajonale, veçanërisht ato që do t’i frenonin grupet kurde në verilindje të Sirisë. Një koalicion partish kurde, përfshirë Partinë e Bashkimit Demokratik (PYD), udhëheq Administratën Autonome të Veriut dhe Lindjes së Sirisë.

Krahu i armatosur i PYD-së, Njësitë e Mbrojtjes së Popullit (YPG), i udhëheq Forcat Demokratike Siriane (SDF), të mbështetura nga SHBA-ja.

“Turqia i ka pasur tri shqetësime kryesore në Siri: luftimin e YPG/PYD, mundësimin e kthimit të refugjatëve sirianë në Siri dhe parandalimin e flukseve të mëtejshme të refugjatëve drejt Turqisë”, tha Daria Isachenko, eksperte për Turqinë në Institutin Gjerman për Çështje Ndërkombëtare dhe të Sigurisë.

Rënia e Assadit më 8 dhjetor ka ndalur fluksin e refugjatëve drejt Turqisë, por “dy shqetësimet e para mbeten”, shtoi Daria Isachenko.

Siria tani kontrollohet praktikisht nga organizata e shpallur terroriste nga SHBA-ja, Hayat Tahrir al-Sham (HTS), dhe aleatët e saj – disa prej të cilëve janë të lidhur me Turqinë, rivalin e Iranit.

Isachenko thotë se ndikimi në rritje i Turqisë në Siri mund ta forcojë edhe më tej pozicionin e Ankarasë në Detin Mesdhe, nëse Turqia e nënshkruan një marrëveshje detare në stilin e Libisë me autoritetet e reja në Damask.

Publikime te ngjashme