Kryetari i Partisë së Drejtësisë, Ferid Agani, i cili në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit garoi si pjesë e listës së Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka deklaruar se rezultati i dobët nuk e zbeh “vlerën dhe bashkëpunimin politik” me partinë më të vjetër në vend.
Përmes një deklarate zyrtare, Agani u shpreh: “Pas përfundimit të procesit, dëshiroj të vlerësoj bashkëpunimin institucional ndërmjet PD-së dhe LDK-së. Ndonëse kjo marrëveshje nuk siguroi përfaqësim të drejtpërdrejtë parlamentar për ne në këtë legjislaturë, theksoj se fushata u zhvillua në frymë korrektësie, respekti reciprok dhe partneriteti të sinqertë politik”.
Ai shtoi se fakti që personalisht nuk arriti të sigurojë mandatin e deputetit, përkundër mbështetjes qytetare, nuk e zvogëlon përgjegjësinë e tyre për të kontribuar në stabilitetin shtetëror. “Partia e Drejtësisë mbetet e përkushtuar ndaj vlerave programore dhe shpreh gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit me LDK-në, në funksion të interesit publik dhe konsolidimit demokratik të Republikës së Kosovës”, nënvizoi ai.
Në mbyllje, Agani theksoi se vendi po përballet me vendime vendimtare që kërkojnë maturi dhe dialog ndërpartiak. Ai falënderoi votuesit dhe strukturat e PD-së për angazhimin, si dhe partnerët e LDK-së për korrektësinë e treguar gjatë gjithë procesit zgjedhor. /lajmishqip.net
