Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka njoftuar një arritje të rëndësishme për imazhin ndërkombëtar të vendit: Banka Botërore e ka larguar zyrtarisht Kosovën nga Lista e Shteteve Fragjile dhe në Situatë Konflikti. Ky vendim vjen pas më shumë se 15 vitesh anëtarësim të Kosovës në këtë institucion.
Sipas Ministrit Murati, ky hap përbën një ‘avancim të jashtëzakonshëm’ dhe është një vulosje e arritjeve të shtetit. Ai theksoi se largimi nga kjo listë është dëshmi e stabilitetit institucional dhe qëndrueshmërisë ekonomike. “Ky zhvillim do të ketë një ndikim të madh në perceptimin ndërkombëtar të Kosovës dhe do të rrisë besueshmërinë për investitorët e huaj”, deklaroi Murati.
Murati vuri në pah rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me Bankën Botërore dhe koordinimin e suksesshëm mes institucioneve vendore, duke veçuar Ministrinë e Financave dhe Bankën Qendrore të Kosovës. Ai shprehu falënderim për të gjithë akterët që kontribuuan në këtë arritje të rëndësishme për vendin, raporton lajmishqip.