Zgjidhja e Ngërçit apo Zgjedhje të Reja? Kosova në Ankth Pret Fjalën e Gjykatës Kushtetuese

1 minute, 56 seconds Read

Kosova është në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, i cili pritet të merret deri më 30 shtator dhe do të përcaktojë fatin e ngërçit politik që ka paralizuar vendin për më shumë se gjashtë muaj. Ekspertët e Kushtetutës paralajmërojnë se përveç zgjidhjeve teknike, edhe opsioni i zgjedhjeve të parakohshme mbetet plotësisht i hapur.

Që nga certifikimi i rezultateve zgjedhore më 27 mars, vendi ka mbetur pa Kuvend funksional dhe pa Qeveri të re, për shkak të bllokadës së krijuar rreth zgjedhjes së nënkryetarit nga radhët e Listës Serbe.

Sipas njohësve të çështjeve kushtetuese, Gjykata ka përpara tre skenarë të mundshëm. Së pari, të konstatojë se Kuvendi është konstituuar dhe se nënkryetari mund të zgjidhet në një seancë të ardhshme. Së dyti, të kthejë procesin në pikën zero vetëm për votimin e kandidatit serb. Skenari i tretë, dhe më drastiku, është t’i sugjerojë vendit të shkojë në zgjedhje të reja.

Ish-profesori i së Drejtës Kushtetuese, Mazllum Baraliu, argumenton se zgjedhjet mund të jenë rrugëdalja më e përshtatshme. “Për të mos e vënë veten në sprovë Gjykata Kushtetuese, siç po e bëjnë partitë politike duke e interpretuar secila sipas qejfit të saj vendimin, ajo mund të sugjerojë të shkohet në zgjedhje. Pastaj mund të shkohet, natyrisht në përputhje me dispozitat e Kushtetutës, ose drejtpërdrejt në zgjedhjen e Kuvendit, ose përmes Presidentes,” tha ai për TV Dukagjinin.

Ndërkohë, pasojat e kësaj bllokade janë të thella. Vullnet Bugaçku, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), thekson se vendi po funksionon me një qeveri me kompetenca të kufizuara, pa mbikëqyrje parlamentare dhe me shumë institucione të udhëhequra nga ushtrues detyre. “Përveç kësaj, një mori marrëveshjesh ndërkombëtare me vlerë miliona euro, që i nevojiten buxhetit të Kosovës, nuk po dërgohen dot në parlament për miratim,” shpjegoi Bugaçku.

Sipas tij, pasojat nuk janë vetëm politike e ekonomike, por edhe sistemike, duke rrezikuar deri edhe funksionimin e vetë Gjykatës Kushtetuese, së cilës i mungojnë dy gjyqtarë dhe do të paralizohej tërësisht në rast të dorëheqjes së vetëm edhe një anëtari./lajmishqip.net

Publikime te ngjashme