Tronditja e radhës në Kiev: Zelensky shkarkon arkitektin e operacioneve sekrete kundër Rusisë

1 minute, 39 seconds Read

Presidenti Volodymyr Zelensky ka zëvendësuar të hënën kreun e agjencisë së tij të fuqishme të sigurisë, duke vijuar kështu valën e riorganizimit rrënjësor të zyrtarëve më të lartë shtetërorë.

Ky vendim vjen në kohën kur agresioni rus në Ukrainë po i afrohet vitit të katërt, pa asnjë sinjal për paqe në horizont, përkundër përpjekjeve intensive diplomatike.

Shkarkimi i Vasyl Maliuk, i cili udhëhoqi një varg eliminimesh dhe operacionin e befasishëm “Rrjeti i Merimangës” që gjymtoi aviacionin rus, ka tronditur hierarkinë e shërbimit kyç të sigurisë.

Zelensky ka emëruar Gjeneral Major Yevhenii Khmara si ushtrues detyre të Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës (SBU), institucion të cilin Maliuk e drejtonte që nga viti 2022.

Agjencia e portretizoi pasardhësin Khmara si një komandant me përvojë të gjatë, pjesë e njësisë elitare “Alfa” që nga viti 2011, të cilën e udhëhoqi prej vitit 2023.

Përmes një njoftimi në rrjetin X, Zelensky bëri të ditur se ka kërkuar nga Maliuk të fokusohet në front, duke insistuar në shtimin e operacioneve asimetrike ndaj pushtuesit rus.

Gjatë javës së kaluar, Zelensky emëroi shefin e inteligjencës ushtarake, Kyrylo Budanov, si shef të stafit në vend të Andriy Yermak, i cili u shkarkua pas dyshimeve për korrupsion.

Në kuadër të këtij riorganizimi priten edhe emërime të reja në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Energjisë, proces ky që ishte pezulluar gjatë bisedimeve për paqe që dështuan.

Rusia mban aktualisht të pushtuar rreth një të pestën e territorit ukrainas, përfshirë Krimenë, ndërsa Kievi zyrtar raporton se këto përparime ruse kanë kosto tejet të larta njerëzore.

Së fundmi, Zelensky ka emëruar diplomatin Serhiy Kyslytsia si zëvendës të Budanov, duke integruar kështu një anëtar të ekipit negociator direkt në zemër të administratës presidenciale./lajmishqip.net

Publikime te ngjashme