Analisti Nexhmedin Spahiu ka hedhur një hipotezë të fortë politike, duke deklaruar se kryeministri Albin Kurti ka alternativa të tjera për postin e presidentit, në rast se nuk rizgjidhet Vjosa Osmani. Ndër emrat e mundshëm, ai ka veçuar atë të Murat Jasharit.
Gjatë debatit në emisionin “Pressing”, Spahiu argumentoi se për të arritur deri te ky post, Jashari duhet fillimisht të marrë pëlqimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sipas tij, ky është një proces i ngjashëm me atë që kaloi vetë Albin Kurti para se të merrte drejtimin e qeverisë.
Një vëmendje të veçantë Spahiu i kushtoi simbolikës shtetërore, duke theksuar se përfaqësimi i unitetit të shtetit kërkon respektimin e simboleve të Kosovës. Ai kritikoi faktin që në varrezat e heronjve kombëtarë ende nuk valon flamuri zyrtar i shtetit të Kosovës.
“Kurti ka opsione rezervë, siç është Murat Jashari. Por, që Murati të zgjidhet president, duhet të marrë autorizimin amerikan, ashtu siç veproi Kurti. Kushti që iu vendos Albinit ishte kalimi nga ngjyrat kuq e zi në ato verdh e kaltër. Po ashtu edhe Jashari, për t’u bërë president, duhet të pranojë simbolet shtetërore. Nuk mundet që në varrezat e kryeheronjve të Kosovës të valojë flamuri i Shqipërisë në vend të atij të Kosovës”, deklaroi Spahiu.
Këto komente të analistit kanë nxitur debate të ashpra dhe reagime të shumta brenda studios dhe në opinionin publik./lajmishqip.net
