Sipas Brukselit, drejtësia në Kosovë është selektive!
Raporti i Komisionit Evropian (KE) për vitin 2025, i publikuar së fundmi, dërgon një alarm të prerë se sistemi i drejtësisë në Kosovë po operon me boshllëqe institucionale dhe ligjore. Pa ndërmarrjen e reformave të thella dhe pa plotësimin e Këshillave Gjyqësor e Prokurorial (KGJK e KPK) me legjitimitet të plotë, pavarësia e gjyqësorit mbetet në nivel të brishtë dhe me prirje selektive.
Në vlerësimin e detajuar të tij, Komisioni Evropian thekson se Kosova vazhdon të jetë vetëm “në fazën fillestare deri në nivel të kufizuar përgatitjeje” në fushën vitale të sundimit të ligjit dhe të drejtave themelore. Raporti konstaton me shqetësim se ka mungesë të progresit real, vë në dukje ndikimin politik të vazhdueshëm në punën e gjyqësorit dhe konfirmon mosfunksionimin e plotë të dy institucioneve kyçe: KGJK-së dhe KPK-së. Thelbi i këtij vlerësimi është se BE-ja e sheh sistemin e drejtësisë si “të fragmentuar, me ndikime të brendshme dhe të jashtme”, ndërkohë që zbatimi i ligjeve të reja mbetet vetëm i pjesshëm dhe kryesisht formal.
Një pjesë e rëndësishme e raportit thekson se “Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) vazhdojnë të operojnë me strukuturë jo të plotë. Për shkak të bllokadës aktuale politike, vonesat në hartimin e reformave në drejtësi kanë ndikuar negativisht në përpjekjet për forcimin e llogaridhënies dhe efikasitetit brenda gjyqësorit dhe prokurorisë” (KE 2025, Kap. 23, f. 25–26). Kjo do të thotë se dy shtyllat e pavarësisë së gjyqësorit janë të paplota në përbërje, funksionojnë me anëtarë të përkohshëm ose në mungesë të theksuar të balancës ligjore të përfaqësimit. Sipas dokumentit të KE-së, boshllëqet strukturore dhe vonesat në reformimin e këtyre këshillave kanë penguar çdo përpjekje për të rritur integritetin, profesionalizmin dhe llogaridhënien. Në mënyrë alarmante, moszgjedhja meritore e Kryeprokurorit të Shtetit — post ky i mbetur në detyrë që nga prilli 2022 — shihet nga Komisioni si shenjë klasike e krizës sistemike që dëmton rëndë kredibilitetin e prokurorisë.
Komisioni Evropian vëren më tej se pavarësia dhe paanshmëria e sistemit gjyqësor janë të “rrezikuara nga ndërhyrjet e brendshme dhe të jashtme”, duke konstatuar se “brenda gjyqësorit dhe prokurorisë ka mungesë të theksuar të parimeve bazë të drejtësisë, siç janë parimet e pavarësisë dhe paanshmërisë, gjë që krijon kushte për ndikim të papërshtatshëm, veçanërisht nga brenda sistemit” (KE 2025, Kap. 23, f. 26–27). Ky vlerësim konsiderohet si ndër më të ashpërtit në dekadën e fundit, duke nënkuptuar se edhe kur mungon presioni i hapur politik, ndikimi brenda vetë sistemit — qoftë përmes hierarkisë, grupeve të interesit apo praktikave klienteliste — vazhdon të deformojë vendimmarrjen e gjyqtarëve e prokurorëve. Një paralajmërim serioz është edhe rikthimi i regjistrimit manual të lëndëve në disa gjykata, përfshirë Gjykatën e Apelit dhe Prokurorinë Speciale. Ky veprim ka komprometuar rëndë parimin e shpërndarjes rastësore të lëndëve, duke lënë hapësirë direkte për manipulim të brendshëm, e që është një goditje e drejtpërdrejtë ndaj transparencës dhe integritetit gjyqësor.
Raporti nuk lë pa adresuar as mungesën e llogaridhënies, duke nënvizuar nevojën për “përmirësimin e llogaridhënies së gjyqësorit dhe prokurorisë” dhe duke kërkuar që “procedurat disiplinore duhet të sigurojnë drejtësi, transparencë dhe proporcionalitet” (KE 2025, f. 27–28). Në praktikë, ky boshllëk konceptual rezulton në ndëshkime minimale për keqpërdorime dhe, më e rëndësishmja, në përfundimin e rasteve të profilit të lartë për korrupsion dhe krim të organizuar me lirime ose dënime tepër të buta. Sipas analizës juridike që buron nga ky raport, kjo e bën sistemin një mekanizëm selektiv — tepër të ashpër për qytetarët e zakonshëm, por jashtëzakonisht tolerant ndaj të fuqishmëve të politikës
Madje, edhe reforma e nisur nga Qeveria, përmes konsultimit me Komisionin e Venecias për paketën e re të ligjeve në drejtësi, është kritikuar. BE thekson se rekomandimet e tyre nuk janë reflektuar plotësisht dhe se “rekomandimet do të duhet të reflektohen plotësisht në amendamentet e ardhshme” (KE 2025, f. 25). Për më tepër, strategjitë ekzistuese për sundimin e ligjit dhe integritetin e gjyqësorit mbeten vetëm “në letër”, pa u përdorur si instrumente efektive për politika konkrete. Komisioni thotë se “për shkak të mungesës së vullnetit dhe aftësive të dobëta menaxheriale në institucionet e drejtësisë, strategjitë nuk përdoren në mënyrë efektive si mjete për zhvillimin e politikave” (KE 2025, f. 25). Pra, kemi të bëjmë me një reformë pa reformatorë: institucione me struktura, por pa funksion real.
Pasojat e drejtpërdrejta të kësaj krize janë të ndjeshme për qytetarët. Së pari, ka zvarritje të vazhdueshme të gjykimeve, ku numri i çështjeve të prapambetura (backlog-u) mbetet i lartë. Së dyti, mungon besimi publik; sipas sondazheve në raport, më pak se 30% e qytetarëve kanë besim te organet e drejtësisë. Së treti, raportohet pabarazi në qasje për komunitetet joshumicë dhe grupet vulnerabël. Për qytetarin e zakonshëm, kjo do të thotë se drejtësia është e ngadaltë, e paparashikueshme dhe shpesh e paqartë në arsyetim.
Komisioni Evropian ka një listë të qartë të veprimeve urgjente që Kosova duhet t’i ndërmarrë: miratimin e menjëhershëm të legjislacionit në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias; vendosjen e kornizës së përgjegjësisë menaxheriale për të gjitha institucionet e drejtësisë; forcimin e integritetit, sidomos në trajtimin e rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë dhe dhunës me bazë gjinore; si dhe transparencë në proceset e përzgjedhjes së anëtarëve të Këshillave. Këto rekomandime janë parakusht themelor për Kapitullin 23 të integrimit në BE. Megjithatë, raporti i BE-së nuk jep të dhëna të detajuara statistikore për rastet e disiplinës apo ndëshkimeve reale, duke lënë një boshllëk në analizën e efektivitetit të vërtetë të sistemit.
Mesazhi i përmbyllës i BE-së 2025 është i prerë: pa një drejtësi të pavarur dhe llogaridhënëse, integrimi evropian nuk do të ndodhë. Sistemi aktual — me poste në detyrë, ligje të pjesshme dhe mungesë kontrolli të brendshëm — ka arritur një pikë kritike që kërkon reagim të menjëhershëm politik, institucional dhe shoqëror, duke filluar me plotësimin e Këshillave me përfaqësim të plotë dhe rivlerësimin e menjëhershëm të procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit./lajmishqip.net
Për Lajmishqip.net
Përgatiti: Mervan ZEJNULLAHU
