Raporti i Progresit për Kosovën 2024: Ngërçi politik dhe përçarjet pengojnë përparimin drejt BE-së

2 minutes, 51 seconds Read

Përparimi i Kosovës në rrugën drejt Bashkimit Evropian është ngadalësuar ndjeshëm për shkak të ngërçit politik pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit dhe përçarjeve të brendshme politike, thuhet në draftin e Raportit të Progresit për vitin 2024, të siguruar nga Radio Evropa e Lirë, transmeton KosovaPress.

Sipas dokumentit, edhe pse Kosova mbetet e përkushtuar ndaj integrimit evropian, me nivel të lartë të mbështetjes publike, dinamikat e brendshme politike kanë ndikuar në vonesa dhe në mosrealizim të reformave kyçe.

Raportet e tilla përpilohen nga Komisioni Evropian për vendet që aspirojnë anëtarësimin në BE. Kosova, ndryshe nga shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor, nuk ka ende statusin e vendit kandidat, megjithëse ka aplikuar zyrtarisht për anëtarësim në dhjetor 2022.

Në dokument theksohet se Kosova ka përshtatur vullnetarisht politikën e saj të jashtme me atë të BE-së, gjë që shihet si sinjal i qartë i përkushtimit ndaj vlerave evropiane. Po ashtu, përmendet se Komisioni Evropian ka nisur procesin e heqjes graduale të masave ndëshkuese të vendosura në verën e vitit 2023, pas tensioneve në veri të vendit.

“Hapat e mëtejshëm do të varen nga shtensionimi i qëndrueshëm në veri. Komisioni synon heqjen e plotë të masave financiare pasi të ndodhë transferimi i rregullt i qeverisjes lokale pas zgjedhjeve të fundit,” thuhet në raport.

Në zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2024, katër komunat me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – u fituan nga Lista Serbe, pas dy vitesh nën drejtimin e kryetarëve shqiptarë.
Një raport i Institutit GAP thekson se masat e BE-së i kanë kushtuar Kosovës rreth 613 milionë euro, përfshirë projekte të pezulluara në energji, mjedis, digjitalizim dhe kulturë.

Draft-raporti vlerëson gjithashtu dialogun Kosovë–Serbi, duke u kërkuar palëve të zbatojnë marrëveshjet e arritura në vitin 2023 për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe të sigurojnë qasje të barabartë në shërbime publike për të gjitha komunitetet.
Megjithëse dialogu teknik ka vazhduar, takimi i fundit në nivel të lartë është mbajtur në shtator 2023, pa ndonjë marrëveshje konkrete.

Në pjesën për Serbinë, raporti kritikon mungesën e përputhjes me politikën e jashtme të BE-së dhe thellimin e polarizimit të brendshëm për shkak të protestave masive të qytetarëve kundër korrupsionit dhe mungesës së transparencës.

“Serbia duhet të shmangë retorikën kundër BE-së dhe të marrë përgjegjësi më të madhe për procesin e anëtarësimit,” thuhet në dokument.

Në anën tjetër, Shqipëria vlerësohet për ritmin e shpejtë të reformave, sidomos në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit, duke hapur pesë grupe kapitujsh negociues dhe duke synuar përmbylljen e procesit deri më 2027.
Mali i Zi përmendet si vendi më i avancuar në negociatat e anëtarësimit, ndërsa Maqedonia e Veriut dhe Bosnje-Hercegovina janë vlerësuar për përpjekjet e tyre në sundimin e ligjit dhe mbrojtjen e pakicave.

Raporti përfundon duke theksuar se zgjerimi i BE-së është bërë prioritet gjeopolitik, veçanërisht pas luftës në Ukrainë, dhe se “Evropa duhet të punojë ngushtë me fqinjët e saj për të ndërtuar një kontinent më të bashkuar, stabil dhe demokratik”./lajmishqip.net

Publikime te ngjashme