Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur synimin për të kontrolluar eksportet e naftës së Venezuelës për një afat të pacaktuar, derisa administrata Trump po dizajnon strategjinë për rikthimin e korporatave amerikane në këtë vend.
Trump deklaroi fillimisht të martën mbrëma se qeveria e përkohshme venezueliane do t’i “dorëzojë” SHBA-së një sasi prej 30 deri në 50 milionë fuçi naftë të cilësisë së lartë, përcjellë Telegrafi.
Kjo sasi nafte, vlera e së cilës kalon 2 miliardë dollarë, do të tërhiqet nga depot përmes flotës detare për t’u dërguar direkt në portet amerikane, njoftoi presidenti në platformën Truth Social.
Sipas deklaratës së tij, nafta do të tregtohet me çmimin aktual të tregut, ndërsa fondet e gjeneruara nga këto shitje do të administrohen drejtpërdrejt nga vetë Trump.
Sekretari i Energjisë, Chris Wright, i ngarkuar me implementimin e këtij plani, deklaroi të mërkurën në Florida se ky kontroll është një levë e domosdoshme për të nxitur ndryshimet politike që duhet të ndodhin në Venezuelë.
Trump ka qenë plotësisht i hapur për qëllimet e tij mbi rezervat venezueliane, që nga momenti i arrestimit të Nicolas Maduros gjatë një operacioni të guximshëm amerikan në Karakas.
Ai ka projektuar që gjigantët amerikanë të naftës të rinisin operimet brenda 18 muajsh, duke paralajmëruar regjimin e përkohshëm me ndërhyrje ushtarake në rast të mungesës së bashkëpunimit.
Një pjesë kyçe e strategjisë përfshin edhe lehtësimin selektiv të sanksioneve ekonomike, të cilat aktualisht rregullojnë qarkullimin e naftës në këtë shtet.
Ndërkohë, u konfirmua se autoritetet amerikane kanë ndaluar në Atlantikun e Veriut anijen ruse “Marinera”, e njohur më parë si “Bella 1”, nën akuzat për shkelje të sanksioneve.
Një tjetër mjet lundrues i “flotës hije”, i quajtur “Sophia” dhe i destinuar për në Kinë, u sekuestrua në Detin e Karaibeve për arsye të ngjashme.
Këto konfiskime pritet të tensionojnë skajshmërisht raportet me Moskën dhe Pekinin zyrtar lidhur me dominimin amerikan mbi resurset energjetike të Venezuelës.
Shtëpia e Bardhë konfirmoi se presidenti do të takojë këtë të premte drejtuesit e kompanive kryesore të naftës për të diskutuar mundësitë e investimeve në Venezuelë.
Për momentin, Chevron mbetet e vetmja kompani shumëkombëshe amerikane që operon ende në territorin venezuelian.
Gjigantët e tjerë si Exxon Mobil dhe ConocoPhillips u larguan vite më parë, pasi Hugo Chavez shtetëzoi industrinë, duke i nxjerrë ato jashtë loje.
Pavarësisht kësaj, Venezuela zotëron rezervat më të mëdha të naftës së rëndë në botë, duke lënë pas vende si Kanadaja dhe Rusia.
Gjatë muajit të kaluar, SHBA bllokoi daljen e cisternave dhe sekuestroi disa sosh në ujëra ndërkombëtare për të forcuar sanksionet mbi industrinë e naftës./lajmishqip.net

