Murati i ashpër me Hamzën: Premton rritje pagash, por tentoi ta çojë shtetin drejt kolapsit financiar

1 minute, 7 seconds Read
Banner Description

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, i është kundërpërgjigjur ashpër zotimeve elektorale të kandidatit të PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza. Murati i ka cilësuar premtimet për rritje pagash e pensionesh si të parealizueshme dhe kontradiktore, përderisa kjo parti refuzoi të votonte Ligjin e Buxhetit.

Në reagimin e tij publik, Murati vuri në dukje se mosvotimi i Buxhetit për vitin 2026 nga ana e PDK-së ishte një veprim që vuri në rrezik stabilitetin financiar të Republikës. Sipas tij, pa një buxhet të miratuar, çdo fjalë për rritje të mirëqenies mbetet vetëm retorikë boshe.

“Për t’i rritur pagat dhe pensionet, parakusht themelor është të kesh buxhet të miratuar”, ka argumentuar Murati. Ai shprehu zhgënjimin e tij, duke theksuar se kishte pritur reflektim nga PDK-ja, pikërisht sepse tani udhëhiqet nga Bedri Hamza – një ish-ministër financash që e njeh mirë peshën jetike të këtij ligji.

Ministri lëshoi kritika të forta ndaj qasjes së opozitës, duke nënvizuar se pavarësisht ndryshimeve në kreun e partisë, mendësia ka mbetur e njëjtë.

“Për interesa të ngushta partiake, ata janë në gjendje ta sjellin shtetin buzë kolapsit financiar”, ka shkruar Murati, duke reaguar kështu ndaj intensifikimit të premtimeve ekonomike në prag të fushatës. /lajmishqip.net

Publikime te ngjashme