Kuvendi i Shqipërisë zhvillon sot në orën 10:00 mbledhjen e parë të Legjislaturës XI, në zbatim të dekretit të Presidentit të Republikës.
Në këtë seancë do të ngrihet komisioni i përkohshëm për verifikimin e mandateve, ndërsa 140 deputetët e zgjedhur do të betohen mbi Kushtetutën e Shqipërisë për detyrat përfaqësuese dhe përgjegjësitë ligjvënëse.
Zgjedhjet e 11 majit prodhuan 83 mandate për Partinë Socialiste, 50 për Partinë Demokratike, 3 për Partinë Socialdemokrate, 2 për Partinë Mundësia, 1 për Shqipëria Bëhet dhe 1 për Lëvizjen Bashkë. Nga 140 deputetë gjithsej, 72 e nisin për herë të parë mandatin në këtë legjislaturë.
Përbërja e re parlamentare pasqyron diversitetin shoqëror. Mosha mesatare e deputetëve është 47.5 vjeç, duke sjellë një kombinim të përvojës dhe energjisë së re. 35% e tyre janë gra, ndërsa profesionet e përfaqësuara janë të larmishme: 32 nga drejtësia, 31 nga ekonomia, si dhe të tjerë nga fusha të tilla si mjekësia, shkencat natyrore e sociale, politika, inxhinieria, arti dhe sipërmarrja. Gjithsej 25 deputetë mbajnë gradën “Doktor i Shkencave” dhe 5 titullin akademik “Profesor”.
Për një nisje sa më efikase të sesionit të ri, administrata e Kuvendit ka përgatitur materiale orientuese dhe sesione informuese. Njëkohësisht, zyra pritëse e deputetëve do të ofrojë asistencë për njohjen me institucionin dhe detyrat që rrjedhin nga funksioni parlamentar./lajmishqip.net