Një tjetër vendim nga Gjykata Kushtetuese, një tjetër afat kohor që nis të ecë, dhe një tjetër heshtje assorduese nga klasa politike. Kjo është panorama e krizës institucionale që ka mbërthyer Kosovën, ku partitë kryesore, të zhytura në fushatën për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, duket se po injorojnë ultimatumet për konstituimin e Kuvendit.
Por, ndërsa politikanët ruajnë qetësinë, njohësit e zhvillimeve politike paralajmërojnë se energjinë duhet ta ruajnë për një betejë tjetër: zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat i shohin si rrugëdaljen e vetme të pashmangshme.
Sociologu Artan Muhaxhiri e konsideron absurditet vazhdimin e bllokadës. “As Lëvizja Vetëvendosje si fituese, dhe as partitë tjera, nuk dëshirojnë ta bëjnë shumicën… nuk kanë vullnet, guxim apo ide,” thotë ai, duke argumentuar se “opsioni më i mirë është të shkohet në zgjedhje të reja, që të rilegjitimohen partitë” dhe të tentohet një kthim në normalitet.
Më radikal është politologu Dritëro Arifi, i cili deklaron se zgjedhjet nuk janë zgjidhje, por mënyra e vetme për t’i shpëtuar “marrëzisë politike”. Ai përshkruan një situatë alarmante: “Vendi është, realisht, në anarki totale. Parlamenti nuk ka kontroll mbi asgjë,” thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Kjo krizë e pashembullt nisi menjëherë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. LVV fitoi më së shumti vota por jo mjaftueshëm për të qeverisur vetë, dhe dështimi për të arritur një konsensus për koalicion e ka lënë vendin të bllokuar. Aktgjykimi i fundit i Kushtetueses erdhi pas ankesës së Listës Serbe për postin e nënkryetarit të Kuvendit.
Por a do të sillnin zgjedhjet e reja një rezultat ndryshe? Muhaxhiri beson se po, pasi qytetarët, të lodhur nga bllokada, do t’ua “impononin bashkëpunimin” partive përmes votës. Sa i përket rrugës drejt zgjedhjeve, analistët pajtohen se Gjykata Kushtetuese nuk mund ta shpërndajë Kuvendin. Roli kyç, sipas tyre, i takon Presidentes Vjosa Osmani. “Presidentja do të duhet të ishte shumë më aktive… jemi në muajin e 10-të që jemi vend i bllokuar,” thotë Arifi, duke sugjeruar se ajo duhet të ftojë liderët për të gjetur një zgjidhje.
Ndërkohë që debati për zgjedhje gëlon, faktori ndërkombëtar vazhdon të bëjë thirrje për arsye dhe përgjegjësi. Apeli i ambasadorit të BE-së, Aivo Orav, mbetet kumbues: “Ju lutem, konstituojeni Kuvendin dhe ju lutem formojeni një qeveri.”/lajmishqip.net