Kurti publikon “grafikën” për Ibër-Lepencin: forenzika ndërkombëtare në një vijë me institucionet e Kosovës

1 minute, 21 seconds Read
Banner Description

Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka rikthyer sot në vëmendje sulmin ndaj kanalit të Ibër-Lepencit, duke publikuar një grafikë dhe duke thënë se ekspertiza forenzike ndërkombëtare përputhet me vlerësimet fillestare të institucioneve të sigurisë së Kosovës. Sipas Kurtit, aktakuza e Prokurorisë Speciale ndaj tre shtetasve serbë – dy prej të cilëve të lidhur me struktura ilegale – e përforcon pretendimin se nuk bëhet fjalë për një “incident të izoluar”.

Në postimin e tij, Kurti lidh sulmin e 29 nëntorit 2024 me situatën e brendshme në Serbi pas tragjedisë në Novi Sad, duke pretenduar se goditja ndaj infrastrukturës kritike në Kosovë synoi të “eksternalizojë” krizën dhe të ndalë përshkallëzimin e protestave qytetare në Serbi. Ai thekson se ekspertiza ndërkombëtare ka konstatuar origjinë ushtarake të eksplozivit dhe kërkon që partnerët ndërkombëtarë të ndërmarrin hapa konkretë dhe sanksionues për të parandaluar përsëritjen e tyre.

Sulmi në Varagë të Poshtme, në Zubin Potok, pati pasoja të menjëhershme në furnizimin me ujë të pijshëm, pasi përmes kanalit shpërndahet uji nga Liqeni i Ujmanit drejt rajonit të Mitrovicës dhe të Prishtinës. Autoritetet reaguan me shpejtësi për të shmangur dëme shtesë, përfshirë ndikimin e mundshëm në KEK, që e përdor ujin e kanalit për ftohje.

Kjo është ngjarja e dytë e përmasave të mëdha në veri pas sulmit në Banjskë më 24 shtator 2023, ndërsa Prishtina zyrtare vazhdon të akuzojë Serbinë për përgjegjësi.

Burimi: Koha.net./lajmishqip.net

Publikime te ngjashme