Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka përkujtuar 15-vjetorin e Mendimit Këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) lidhur me ligjshmërinë e Pavarësisë së Kosovës. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai e ka cilësuar këtë ngjarje historike si një moment kyç në afirmimin ndërkombëtar të së drejtës së popullit të Kosovës për shtet, vetëvendosje dhe liri.
Në postimin e tij, Kurti thekson se ky opinion i dha dritë vendimtare të drejtës së popullit të Kosovës për shtetformim. “Ajo do mbetet akt i vulosjes së ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës në të drejtën ndërkombëtare, dëshmi për legjitimitetin ndërkombëtar të së drejtës për vetëvendosje të popullit të Kosovës dhe akt konfirmues i evidencës shoviniste e kolonizuese të Serbisë ndaj popullit shqiptar të Kosovës”, ka shkruar Kurti.
Më tej, sipas Kryeministrit, ky mendim përbën një nga momentet më frymëzuese në marrëdhëniet ndërkombëtare. Ai shtoi se vendimi “i jep shpresë e vullnet popujve liridashës që drejtësia ndaj kauzës së tyre më në fund edhe mund të triumfojë”, raporton lajmishqip.
Kurti ka shtuar se vlera juridike e këtij mendimi do t’u shërbejë brezave të ardhshëm si një mësim i rëndësishëm, por edhe si një leksion për Serbinë. “Nxitimi i saj [Serbisë] u kthye në një humbje të madhe të politikës serbomadhe, e po ashtu simbolikisht një kujtim për viktimat e kolonizimit, diskriminimit sistematik e gjenocidit të saj”, ka vijuar ai.
Në përmbyllje, Kryeministri në detyrë theksoi se ky dështim diplomatik i Serbisë, i nxitur prej saj, shërben si një kujtesë e fuqishme e fitores së drejtësisë për popullin e Kosovës, raporton lajmishqip.