Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka pritur në një takim të Dërguarën e Posaçme të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Karen Pierce.
Takimi mes tyre u zhvillua në formën e një darke pune në rezidencën e ambasadës britanike në Prishtinë.
Zyra e Kryeministrit njoftoi se kjo është vizita e dytë e emisares Pierce në këtë kapacitet, pas asaj të prillit kur shoqëronte Sekretarin e Jashtëm britanik, David Lammy.
Sipas komunikatës, Kurti dhe Pierce diskutuan për marrëdhëniet dypalëshe dhe mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit në fusha si industria kreative, diplomacia, mbrojtja dhe siguria.
Në kontekstin e përgatitjeve për Samitin e Procesit të Berlinit në Londër, Kurti theksoi rëndësinë e zbatimit të marrëveshjeve ekzistuese, si lëvizja e lirë dhe njohja e diplomave, për suksesin e Tregut të Përbashkët Rajonal.
Në përmbyllje të takimit, Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme dhe të palëkundur të Mbretërisë së Bashkuar për Republikën e Kosovës, raporton lajmishqip.