Pas zgjedhjeve të parakohshme të shkurtit 2025, Kosova ka rënë në një stanjacion të thellë politik e institucional. Raporti i fundit i Komisionit Evropian për vitin 2025 e definon këtë gjendje si një “krizë të legjitimitetit institucional”, e cila ka gërryer besimin publik në proceset demokratike dhe sundimin e ligjit. Për herë të parë që nga viti 2016, kur u nënshkrua Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit, Brukseli zyrtar vëren një “ngadalësim serioz të përgatitjeve për integrim evropian”, si dhe stagnim në fushat themelore të qeverisjes, drejtësisë dhe administratës publike.
Në thelb, raporti vërteton se Kosova e nisi vitin 2025 me institucione gjysmë-funksionale: Kuvendi mbeti i shpërndarë për muaj me radhë, ndërsa qeveria vepronte me mandat teknik, pa kapacitete për të marr vendime kyçe reformuese. “Gjatë muajve të fundit, për shkak të bllokadës politike, ritmi i përgatitjeve të Kosovës është ngadalësuar ndjeshëm. Qeveria ka qenë në status kujdestar që nga 23 marsi 2025, me kompetenca të kufizuara për të kryer vetëm operacione ditore,” citohet në raportin e progresit të BE-së për Kosovën.
Kjo situatë ka pezulluar proceset kyçe të integrimit evropian, duke përfshirë zbatimin e agjendës së reformave dhe ratifikimin e marrëveshjeve që siguronin mbështetje të drejtpërdrejtë financiare nga BE. Komisioni tërheq vërejtjen se mosfunksionimi institucional rrezikon humbjen e fondeve evropiane dhe frenimin e zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.
Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025, ndonëse u cilësuan “paqësore dhe konkurruese”, u mbajtën në një klimë të theksuar polarizimi politik e shoqëror. Raporti thekson përpjekjet për politizimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, keqpërdorimin e resurseve publike dhe presionet në zonat me shumicë serbe. Me një pjesëmarrje prej vetëm 46.6%, Komisioni e vlerëson angazhimin qytetar si “të dobët dhe alarmues për një demokraci të re”.
Në një tjetër dimension kritik, raporti analizon funksionimin e Kuvendit të Kosovës, duke evidentuar raste flagrante të mungesës së transparencës dhe abuzimit me procedurat legjislative. Më 4 dhjetor 2024, Kuvendi aprovoi 20 ligje në të dyja leximet brenda një dite, duke shkelur haptazi afatet kushtetuese. Sipas Komisionit, kjo dëshmon një kulturë politike ku efikasiteti formal ka mbizotëruar mbi cilësinë demokratike, duke e shndërruar Kuvendin në arenë të përplasjeve partiake.
Për qytetarët, kjo bllokadë përkthehet në vonesa të mëdha në miratimin e ligjeve ekonomike, rritje të pasigurisë juridike dhe ndërprerje të programeve të BE-së që kërkojnë bashkëfinancim institucional. Ndonëse sistemi “e-Kosova” është zgjeruar, raporti vëren se qytetarët ende përballen me burokraci dhe joefikasitet, si pasojë e kapaciteteve të kufizuara administrative. Zbatimi i reformës së administratës publike, siç theksohet në raport, mbetet “shumë i varur nga financimi i donatorëve”.
Komisioni Evropian kërkon nga Kosova që, pas zgjedhjeve, të rivendosë funksionalitetin e plotë institucional, të evitojë ndërhyrjet politike në konstituimin e Kuvendit dhe të zbatojë plotësisht ligjet për administratën dhe financat publike. Gjithashtu, kërkohet ndalja e praktikave të miratimit të ligjeve me procedura të përshpejtuara dhe rikthimi i dialogut ndërpartiak për agjendën evropiane. Këto janë parakushte esenciale për çdo avancim në procesin e anëtarësimit.
Sidoqoftë, raporti i Komisionit nuk ofron një analizë të thelluar mbi rolin e Presidentes apo Gjykatës Kushtetuese në menaxhimin e krizës, duke lënë hapësirë për interpretime rreth balancit të pushteteve dhe ndikimeve politike në gjyqësor. Njëkohësisht, mungon një vlerësim i qartë i impaktit ekonomik dhe social që ky ngërç institucional ka prodhuar.
Si përfundim, raporti i progresit i Komisionit Europian i vitit 2025, duhet interpretuar si një paralajmërim serioz për Kosovën: pa institucione funksionale, dialog ndërpartiak dhe kulturë të konsoliduar demokratike, rruga evropiane mbetet e bllokuar. Zhbllokimi i Kuvendit, formimi i institucioneve, rihapja e dialogut politik dhe kthimi te reformat e BE-së janë hapa urgjentë që Kosova duhet t’i ndërmarrë për të shmangur izolimin e radhës./lajmishqip.net
Për Lajmishqip.net
Shkroi: Mervan ZEJNULLAHU
