Donika Kadaj Bujupi, këshilltare e presidentes Vjosa Osmani, i është kundërpërgjigjur ashpër nënkryetares së LDK-së, Hykmete Bajrami, pas deklaratave të saj të mbrëmshme. Reagimi i Kadaj Bujupit u fokusua kryesisht te kritikat që Bajrami drejtoi ndaj presidentes.
“Nuk ka asnjë logjikë shtetërore që një deputete e Kuvendit, profesoreshë universitare dhe nënkryetare partie, të heshtë për subjektet më agresive ndaj shtetësisë — si Lista Serbe — por njëkohësisht të sulmojë publikisht presidenten pa asnjë arsyetim racional. Këto sulme vazhdojnë me gjuhë ofenduese dhe shpifje,” shkroi Kadaj Bujupi në Facebook.
Ajo pyeti se çfarë dëm i kishte bërë Kosovës presidentja, duke nënvizuar se Osmani punon çdo ditë për forcimin e shtetit, sovranitetit dhe integritetit territorial. Sipas Kadaj Bujupit, është e papranueshme që Bajrami të ketë “problem me presidenten e vendit të vet” dhe ta përmendë atë vetëm si “Vjosa Osmani”, pa titullin zyrtar.
“Kush është mesazhi që dëshironte të përcillte deputetja? Vështirë të besohet se është vetëm një gabim emocionues. Vetëm urrejtja patologjike mund të verbërojë dikë sa të referohet me qëllim te kreu i shtetit vetëm si ‘Vjosa Osmani’ — një qasje që shohim zakonisht në mediat serbe. Presidentja nuk është person privat, por kreu i Republikës që mori mbi 300 mijë vota dhe përfaqëson dinjitetin shtetëror,” shkroi më tej këshilltarja.
Në përfundim, Kadaj Bujupi paralajmëroi kundërshtarët politikë: “Mund të nisni beteja me presidenten, por mos u çudisni për pasojat elektorale — edhe 12 përqindëshi mund t’ju duket i mirë.” /lajmishqip.net
