Humbje e madhe për Zvicrën para përballjes me Kosovën – mungon Freuler, “Zotëri i Besueshmi” i mesfushës

1 minute, 54 seconds Read

Zvicra do të përballet me mungesën e një prej lojtarëve të saj më të rëndësishëm në dy ndeshjet e fundit kualifikuese për Kupën e Botës 2026.

Remo Freuler, që zakonisht luan përkrah Granit Xhakës në qendër të mesfushës, ka thyer klavikulën dhe do të mungojë në ndeshjet kundër Suedisë dhe Kosovës.
Mesfushori i Bolognës, i cili u lëndua fundjavën e kaluar në Serie A, ka qenë një figurë kyçe në formacionin e Zvicrës, duke zhvilluar të gjitha ndeshjet e deritashme të kualifikimeve.
Në shtatë vitet e fundit, ai ka qenë i pazëvendësueshëm në përbërjen bazë të përfaqësueses, me 84 paraqitje, 11 gola dhe 9 asistime.

Selektori Murat Yakin pritet të shpallë të mërkurën listën përfundimtare për ndeshjet e fundit kualifikuese që zhvillohen më 15 nëntor (Zvicër – Suedi, në Gjenevë) dhe më 18 nëntor (Kosovë – Zvicër, në “Fadil Vokrri”).

Aktualisht, Zvicra kryeson grupin me 10 pikë, pasuar nga Kosova me 7, Sllovenia me 3 dhe Suedisë me vetëm 1 pikë. Me fitore ndaj Suedisë, Zvicra do ta siguronte pothuajse kualifikimin, ndërsa nëse dështon, ndeshja ndaj Kosovës mund të shndërrohet në “finale” për kreun e grupit.

Freuleri do t’i nënshtrohet një operimi dhe pritet të rikthehet pas disa javësh.
Sipas televizionit SRF, mungesa e tij është një goditje serioze për Zvicrën:

“Me Freulerin, ekipit i mungon ‘Zotëri i Besueshmi’, që për vite ka qenë shtylla e mesfushës pranë Xhakës.”

Një tjetër mungesë për Zvicrën është Denis Zakaria, i cili po ashtu është i lënduar.
Në këto rrethana, mund të hapet rruga për Ardon Jasharin, 23-vjeçarin që së fundmi është rikthyer pas dëmtimit dhe është përfshirë në listën e Milanit për ndeshjen ndaj Romës, megjithëse mbeti në stol.

Selektori Yakin ka folur me superlativa për Freulerin, duke thënë:

“Nuk e mbaj mend që Remo të ketë pasur ndonjë ndeshje të dobët. Ai ka qasje të jashtëzakonshme strategjike ndaj lojës, punon fort në mbrojtje dhe në sulm, dhe shënon në momentet vendimtare.”/lajmishqip.net

Publikime te ngjashme