Kryetari i degës së PDK-së në Drenas, Petrit Hajdari, ka reaguar ashpër ndaj veprimeve të fundit të kryetarit të sapozgjedhur, Ramiz Lladrovci, duke e akuzuar për manipulim dhe sjellje arrogante. Hajdari sqaroi se lokali ku Lladrovci u shfaq së fundmi nuk është zyra e PDK-së, por një pronë private e një familjari të tij, duke e cilësuar këtë veprim si një skenë për spektakël.
Duke theksuar se PDK-ja e ka pranuar rezultatin dhe tani është në opozitë, Hajdari deklaroi se sjellja e Lladrovcit në publik tregon se imazhi i tij si viktimë gjatë fushatës ishte vetëm një farsë. “Sjellja e tij prej arroganti tregon që ai imazh prej viktime ishte veç farsa e një identiteti tjetër, atij të grabitçarit manipulant që është në gjendje të bëjë gjithçka për pak spektakël e pak pushtet,” tha Hajdari.
Ai i bëri thirrje Lladrovcit që të nisë punën për të cilën është votuar dhe të heqë dorë nga skenat, duke i kujtuar se e ka uruar për fitoren menjëherë pas zgjedhjeve.
Në fund, Hajdari theksoi se Lladrovci nuk e përfaqëson PDK-në. “PDK ka qenë e sinqertë me qytetarin. Ai nuk është PDK. Ne kemi garuar për kryetar komune, jo për degën e PDK-së. Zgjedhjet kanë qenë veç për kryetar komune,” përfundoi ai./lajmishqip.net