Gjoba prej 5100 eurosh për LDK-në, ja fjalia e Përparim Ramës që u vulos si shkelje ligjore nga Gjykata Supreme

1 minute, 9 seconds Read

Gjykata Supreme e Kosovës ka hedhur poshtë si të pathemeltë ankesën e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), duke lënë në fuqi gjobën prej 5100 eurosh të vendosur nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP). Shkak për këtë vendim u bë një fjalim i kryetarit aktual të Prishtinës dhe kandidatit të LDK-së, Përparim Rama.

Rasti lidhet me një fjalim të mbajtur nga Rama më 24 shtator gjatë mbledhjes së Kuvendit Komunal, ku diskutohej Projektbuxheti për vitin 2026. Gjykata konfirmoi se Rama shfrytëzoi pozitën e tij publike për të kërkuar vota për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, kur deklaroi: ‘Ftoj qytetarët e kryeqytetit të reflektojnë, që më 12 tetor 2025 t’ua tregojnë vendin secilit asamblist që e ka bllokuar dhe vazhdon ta bllokojë këtë proces demokratik të zhvillimit… me votën e tyre’.

Sipas Supremes, kjo deklaratë përbën shkelje të qartë të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, i cili ndalon rreptësisht personat në pozita publike të përdorin zyrën apo resurset publike për përfitime elektorale. Vendimi thekson se asnjë burim i institucioneve publike, qendrore apo lokale, nuk mund të vihet në mbështetje të një subjekti politik.

Vlen të theksohet se i gjithë procesi kundër LDK-së nisi pas një ankese të bërë në PZAP nga Lëvizja Vetëvendosje./lajmishqip.net

Publikime te ngjashme