Fushë Kosova Nis Rrënimin e Ndërtimeve pa Leje për Lirimin e Hapësirave Publike

1 minute, 18 seconds Read

Komuna e Fushë Kosovës ka filluar sot një aksion të gjerë për lirimin e hapësirave publike, i cili përfshin rrënimin e të gjitha objekteve të ndërtuara pa leje në këto zona.

Këtë e ka konfirmuar Drejtori i Inspektoratit në këtë komunë, Donat Zharku.

Sipas drejtorit Zharku, aksioni ka nisur pasi një pjesë e bizneseve nuk i janë përgjigjur njoftimeve zyrtare. “Pavarësisht paralajmërimeve, disa subjekte afariste nuk i kanë liruar hapësirat publike, ndonëse janë njoftuar me kohë përmes procesverbaleve dhe vendimeve zyrtare”, deklaroi ai, raporton lajmishqip.

Zharku bëri të ditur se operacioni ka filluar në rrugën “Hajrulla Zymi” dhe do të shtrihet në mënyrë progresive edhe në rrugët e tjera të qytetit gjatë ditëve në vijim.

Ai theksoi se qëllimi final është rikthimi i pronës publike te qytetarët dhe zbatimi i ligjit. “Qëllimi i këtij veprimi është kthimi i hapësirave publike për qytetarët dhe respektimi i rregullave komunale. Ky aksion do të përfshijë të gjithë territorin e qytetit të Fushë Kosovës”, pohoi Zharku.

Ky aksion pason një urdhëresë të lëshuar nga Komuna më 15 maj, e cila u jepte afat subjekteve për lirimin vullnetar të sipërfaqeve publike të zëna ilegalisht.

Në atë urdhëresë theksohej se “të gjithë personat fizikë dhe juridikë” kishin një afat prej 30 ditësh për të larguar objektet e përkohshme nga pronat publike, duke filluar nga data e publikimit të saj zyrtar, raporton lajmishqip.

Publikime te ngjashme