Miliarderi Elon Musk, i përshkruar edhe si ish-bashkëpunëtor i presidentit amerikan Donald Trump, ka publikuar në profilin e tij në platformën sociale X një hartë që pasqyron gjendjen e natalitetit në Evropë.
Harta paraqet vendet evropiane të klasifikuara sipas normës së parashikuar të lindjeve për familje, sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, përcjell Telegrafi.
Në të specifikohet se një normë nën 1.0 fëmijë konsiderohet “jashtëzakonisht e ulët”; deri në 1.5 është “e pamjaftueshme”; deri në 1.9 është “pranë normës së zëvendësimit”; dhe mbi 2.1 fëmijë cilësohet si “mbi normën e zëvendësimit”.
Sipas të dhënave vizuale, një pjesë e konsiderueshme e Evropës është “në zonën e kuqe”, ndërsa Ukraina evidentohet me nivelin më të ulët, ku norma e pritur për familje është vetëm 1.0.
Ndërkaq, në pjesën perëndimore të kontinentit, Franca dallohet me një normë prej 1.63, që përfaqëson një nga treguesit më pozitivë në Evropë.
Edhe rajoni i Ballkanit paraqet një pamje interesante, ku shumica e shteteve regjistrojnë një normë prej 1.5 ose më shumë.
Në këtë rajon listohen Bosnja dhe Hercegovina me 1.58, Serbia me 1.61, si dhe Mali i Zi me një normë prej 1.79.
Megjithatë, sipas të dhënave të hartës, Kosova paraqitet si “rekordmbajtësja absolute në Evropë”, me normën më të lartë të lindshmërisë prej 1.9.
Përveç vendeve ballkanike, edhe Moldavia me 1.66 dhe Bullgaria me 1.72 shfaqin norma lindshmërie mbi nivelin kritik “e kuq”.
Në anën e kundërt të spektrit, krahas Ukrainës, në fund të listës evropiane renditen Spanja (1.12), Lituania (1.13) dhe Estonia (1.17).
Në përshkrimin shoqërues të hartës, Musk ka komentuar: “Ose Evropa do të fillojë të ketë familje të mëdha, ose do të vazhdojë të shuhet”, raporton lajmishqip.