Një operacion i gjerë policor, i bazuar në informacione të siguruara nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) dhe pas hetimeve intensive disamujore, ka kulmuar sot me arrestimin e disa zyrtarëve të lartë shtetërorë. Të dyshuarit akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe korrupsion lidhur me procesin e shpronësimit të pronave private.
Në listën e personave të përfshirë figurojnë emra me peshë publike, ndër të cilët: kryetari i degës së Gjykatës në Graçanicë (J. M.), zyrtarë nga avokatura (N. K., M. D. dhe B. D.), eksperti gjyqësor (Sh. T.), një zyrtar i Departamentit të Shpronësimeve, zyrtari i ATK-së (G. L.), si dhe ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë (F. I.).
Burime të “Gazeta Insajderi” kanë mësuar ekskluzivisht se ish-ministri i arrestuar në këtë rast është Fadil Ismajli.

Sipas hetimeve paraprake, ky grup dyshohet se ka funksionuar si një strukturë e organizuar kriminale. Duke shfrytëzuar pozitat e tyre shtetërore, ata dyshohet se kanë manipuluar proceset e shpronësimit, duke i shkaktuar dëme të konsiderueshme buxhetit të Republikës së Kosovës. /lajmishqip.net
