Bllokimi i buxhetit, Sindikata e RTK-së paralajmëron protestë më 6 gusht

2 minutes, 24 seconds Read

Sindikata e Punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës (SPERTK) ka paralajmëruar se do të mbajë protestën e parë më 6 gusht, nëse mjetet buxhetore për transmetuesin publik nuk alokohen deri më 5 gusht. Ky veprim cilësohet si paralajmërim para nisjes së një greve të përgjithshme.

Në një konferencë për media, kryetari i SPERTK, Gëzim Bimbashi, deklaroi se moskonstituimi i Kuvendit të Kosovës ka shkaktuar bllokimin e plotë të RTK-së.

“SPERTK po e shpreh sot publikisht shqetësimin dhe indinjatën e saj për situatën alarmante në të cilën ndodhet Radio Televizioni i Kosovës, si pasojë e mungesës së alokimit të buxhetit dhe bllokimit të kapaciteteve tona. RTK-ja, si shërbim publik, ka detyrim kushtetues dhe ligjor për të informuar qytetarët ne mënyre të pavarur dhe te paanshme. Mungesa e buxhetit po e vë ne pikëpyetje këtë mision themelor. Si pasojë e moskonstituimit dhe mosveprimit të Kuvendit, RTK është bllokuar. Megjithatë, duhet ta themi qartë se nga ky bllokim nuk mbesin pa paga deputetët dhe zyrtarët shtetërorë, por punëtorët e RTK-së, të cilët edhe pse kanë buxhetin të ndarë me ligj, nuk po mund t’i marrin pagat e tyre”, u shpreh Bimbashi, raporton lajmishqip.

Ai paralajmëroi se vazhdimi i kësaj situate rrezikon të lërë pa paga rreth 700 punonjës, duke vënë në pikëpyetje funksionimin normal të televizionit publik.

“Nëse kjo gjendje vazhdon, mbi 700 punëtorë te mbesin pa paga dhe do të rrezikohet seriozisht funksionimi i televizionit publik ne jemi te obliguar të marrim masa tjera sindikale. SPERTK pret nga institucionet shtetërore afatin deri më datë 5 gusht që të alokojnë mjetet sipas obligimeve ligjore. Nëse deri atëherë nuk ndërmerren hapa konkretë, më datë 6 gusht SPERTK do të organizojë protestën e parë, si paralajmërim për veprime te mëtejshme, deri në grevë të përgjithshme”, tha Bimbashi, raporton KP.

Nga ana tjetër, anëtari i SPERTK-ut, Fisnik Durguti, bëri të ditur se për këto shqetësime e kanë njoftuar edhe institucionin e Avokatit të Popullit.

“Ne kemi pasur takime edhe me akterë të ndryshëm të institucioneve të vendit, kemi pasur edhe me institucionin e avokatit të popullit, me ç’rast ia kemi shprehur këto shqetësime tona të cilat janë të përditshme. Secila qeveri që ka ardhur na ka bërë me dije që do të ndreqet statuti i institucionit publik por megjithatë duket fare e qartë qe nuk ka pasur vullnet politik”, tha Durguti.

Në mbyllje, SPERTK u bëri thirrje partive politike dhe institucioneve të vendit që të heqin dorë nga përdorimi i RTK-së për interesa politike dhe ta mbrojnë atë si një pasuri publike dhe shtyllë të demokracisë, raporton lajmishqip.

Publikime te ngjashme