Autoritetet në Izrael kanë publikuar bilancin e sulmeve të vazhdueshme nga Irani, të cilat kanë filluar ditën e premte, 13 qershor 2025. Të dhënat zyrtare tregojnë për pasoja të rënda njerëzore dhe dëme masive materiale.
Sipas përmbledhjes, si pasojë e sulmeve, 25 persona kanë humbur jetën, përfshirë edhe fëmijë. Numri i të plagosurve ka arritur në 2,572, prej të cilëve 14 raportohen të jenë në gjendje kritike për jetën.
Izraeli akuzon regjimin iranian për lëshimin e qindra raketave dhe mbi një mijë dronëve. Në total, bëhet fjalë për afërsisht 480 raketa dhe 1,110 dronë sulmues, të cilët kanë goditur më shumë se 50 lokacione të ndryshme, duke përfshirë ndërtesa banimi dhe zona civile.
Përveç kostos njerëzore, dëmet materiale të shkaktuara vlerësohen të kenë kaluar shifrën e 2 miliardë dollarëve. Si rezultat i rrezikut të vazhdueshëm, mbi 8,190 banorë janë detyruar të evakuohen nga shtëpitë e tyre, raporton lajmishqip.