Partia Demokratike e Shqipërisë ka shpallur zyrtarisht se nuk do t’i bashkohet protestës së paralajmëruar për nesër në Tiranë, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së. Lajmin e bëri të ditur kryetari i PD-së, Sali Berisha, i cili arsyetoi vendimin me faktin se tubimi përmban “nuanca të theksuara kundër qeverisë së Kosovës” dhe po politizohet nga kryeministri Edi Rama.
Sipas Berishës, çështja e drejtësisë për luftën çlirimtare nuk duhet të kthehet në një betejë partiake. “Mitingu që do bëhet ka nuanca të theksuara kundër qeverisë së Kosovës! Rama kishte planifikuar 60 minuta fjalim aty, njësoj si të dilte Vuçiçi të fliste,” deklaroi ashpër Berisha.
Ai akuzoi Ramën se po tregohet armik i Kosovës, duke i vënë sanksione dhe duke punuar për skenarë ndarjeje. “Edi Rama u tregua po aq sa Vuçiçi armik i Kosovës,” shtoi ai.
Lideri i opozitës rikonfirmoi qëndrimin e tij në mbështetje të luftës së UÇK-së, duke dënuar genocidin serb me shembuj konkretë nga Krusha, Reçaku dhe Istogu. Megjithatë, ai theksoi se PD nuk mund të bëhet pjesë e një mitingu që, sipas tij, shfrytëzohet për të sulmuar qeverinë legjitime të Kosovës. “Ne nuk e imagjinojmë kurrë që të ndërmarrim veprime subversive,” përfundoi Berisha./lajmishqip.net