Analisti Sadri Ramabaja ka deklaruar se fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje erdhi si rezultat i shënjestrimit të suksesshëm të tri grupeve specifike të qytetarëve përmes politikave sociale. Sipas tij, këto kategori janë prekur ndjeshëm nga programi socialdemokrat i qeverisë në largim.
“Tri grupet që janë trajtuar në mënyrën më të mirë të mundshme sipas programit tonë janë: pensionistët, numri i madh prej mbi 200 mijë lehonave dhe shtesat për fëmijë, të cilat u aplikuan për herë të parë nën Qeverinë Kurti II,” u shpreh ai.
Gjatë paraqitjes së tij në “Debat Plus”, Ramabaja theksoi se këto kategori përfshijnë një numër mjaft të madh qytetarësh, për të cilët, siç tha ai, qeveritë e kaluara nuk kanë treguar interesin e duhur. Kjo vëmendje ndaj këtyre shtresave, sipas analistit, u përkthye në mbështetje të fuqishme elektorale. /lajmishqip.net
