Ukraina ka intensifikuar edhe sot goditjet me dronë në territorin rus, duke synuar infrastrukturën energjetike – një nga burimet kryesore të të ardhurave të Moskës. Sipas një zyrtari të Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës (SBU), dronët ukrainas kanë goditur depo të produkteve të naftës në portin rus Temryuk dhe një uzinë të përpunimit të gazit në Orenburg.
Mesazhi i Kievit është i qartë: sa më shumë të zgjatet lufta, aq më i madh do të jetë kostoja ekonomike dhe logjistike për Rusinë. SBU ka theksuar se synimi është dobësimi i kapaciteteve për furnizim, logjistikë dhe financim të ushtrisë ruse, duke e bërë më të shtrenjtë vazhdimin e operacioneve.
Në të njëjtën kohë, në prapaskenë po zhvillohet beteja diplomatike për një marrëveshje. Reuters raporton se Ukraina ka dalë me një kornizë “20-pikëshe” për paqe, e diskutuar me SHBA-në, ku çështjet më të ndjeshme mbeten territori dhe garancitë e sigurisë. Nga ana tjetër, Kremlini ka bërë të ditur se presidenti Vladimir Putin është informuar për propozimet amerikane dhe se Moska tani do të “formulojë pozicionin” e saj.
Këto zhvillime vijnë pas ditëve të tensionuara në front, ku sulmet ajrore kanë vazhduar dhe infrastruktura energjetike e Ukrainës mbetet objektiv i përsëritur. Në këtë klimë, çdo sinjal për afrim të negociatave shihet si i rëndësishëm – por terreni ende flet me dronë, raketa dhe kundërmasa. Burimi: Reuters./lajmishqip.net.
