Goditje ligjshmërisë në veri: Plani i kundërligjshëm i Listës Serbe për braktisjen e Asociacionit të Komunave

2 minutes, 11 seconds Read
Banner Description

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka denoncuar shkeljet e rënda procedurale në mbledhjet e kuvendeve komunale të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, ku u votua kundërligjshëm për largimin nga Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK).

Sipas raporteve zyrtare të monitorimit, Krasniqi bën të ditur se kryetarët e këtyre komunave kanë tejkaluar kompetencat duke propozuar pika shtesë në rend dite jashtë kornizave ligjore. Ministri rikujton se Ligji për Vetëqeverisjen Lokale ia njeh këtë të drejtë ekskluzivisht anëtarëve të kuvendit, dhe atë vetëm për raste të urgjencës publike.

Përtej shkeljeve teknike, ministri Krasniqi vlerëson se ky veprim i diktuar nga Lista Serbe synon hapur nxitjen e ndasive etnike, tensionimin e situatës dhe minimin e bashkëpunimit ndërkomunal, duke dëshmuar mungesë vullneti për integrim brenda sistemit të Kosovës.

Ai ka potencuar se zbatimi i ligjit është shtylla e demokracisë lokale, ndërsa u ka bërë thirrje komuniteteve që të punojnë për zhvillim dhe besim reciprok, larg agjendave që pengojnë rrugëtimin evropian të vendit.

Në reagimin e tij të plotë, ministri thekson se çdo proces i hyrjes apo daljes nga organet e Republikës duhet t’u përmbahet rregullave kushtetuese. Bazuar në monitorimin e fundit, është vërtetuar se kryetarët e katër komunave veriore kanë vepruar në kundërshtim me nenin 47.2 të ligjit në fuqi, duke propozuar pika që nuk u takojnë.

Kjo praktikë ku pikat shtesë miratohen në bllok dhe jo si propozime të veçanta nga anëtarët e kuvendit, e bën të gjithë procesin juridikisht të pavlefshëm. Rrjedhimisht, vendimet e marra në këto seanca konsiderohen të kundërligjshme dhe cenojnë sundimin e ligjit në nivel lokal.

Për Krasniqin, këto veprime nuk janë thjesht gabime administrative, por një strategji e qëllimshme e Listës Serbe për të prodhuar mosbesim. Ky subjekt, sipas tij, po shpërfaq hapur mungesën e vullnetit për të bashkëpunuar me komunat e tjera të Kosovës.

Përkundër faktit se qytetarët kanë nevojë për siguri dhe stabilitet ekonomik, iniciativat e tilla dëshmojnë se interesi i vetëm i kësaj force politike është instrumentalizimi i serbëve lokalë për llogari të Beogradit.

Në fund, ministri konstaton me keqardhje se Lista Serbe po vazhdon të jetë dorë e zgjatur e interesave të Serbisë, duke dëmtuar mirëqenien dhe integrimin e vetë serbëve të Kosovës në jetën shoqërore dhe institucionale ./lajmishqip.net

Publikime te ngjashme