SHBA miraton buxhetin kolosal të mbrojtjes: Miliarda për Ukrainën, Izraelin dhe Tajvanin

1 minute, 15 seconds Read
Banner Description

Senati i Shteteve të Bashkuara miratoi sot Aktin e Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare (NDAA), një paketë masive prej 901 miliardë dollarësh që përcakton prioritetet dhe shpenzimet e Pentagonit për vitin 2026.

Me 77 vota pro dhe 20 kundër, Senati vulosi versionin e miratuar më herët nga Dhoma e Përfaqësuesve. Tashmë, legjislacioni i drejtohet Presidentit Donald Trump për nënshkrimin final.

Dokumenti voluminoz prej 3,086 faqesh përmban vendime strategjike të rëndësishme. Ai parashikon 800 milionë dollarë për Ukrainën – të ndara në 400 milionë për secilin nga dy vitet e ardhshme – si dhe shfuqizimin e sanksioneve “Cezar” ndaj Sirisë, të cilat ishin vendosur gjatë regjimit të Bashar al-Assad.

Për aleatin kryesor në Lindjen e Mesme, Izraelin, ligji alokon 600 milionë dollarë, me fokus në programet e përbashkëta të mbrojtjes raketore, përfshirë sistemin “Kupola e Hekurt”.

Një vëmendje e veçantë i kushtohet përballjes me ndikimin e Kinës dhe sigurimit të stabilitetit në Indo-Paqësor, duke ndarë 1 miliard dollarë për Iniciativën e Bashkëpunimit për Sigurinë në Tajvan.

Lidhur me Evropën, NDAA autorizon Pentagonin të bashkërendojë fonde me aleatët e NATO-s për të mbuluar kostot e pranisë amerikane në Evropën Lindore. Ligji gjithashtu kërkon që Komanda Evropiane e SHBA-së (EUCOM) të raportojë çdo vit mbi avantazhin ushtarak ndaj Rusisë dhe ndalon reduktimin e trupave amerikane në Evropë nën nivelin 76,000 pa një vlerësim paraprak të rrezikut, raporton Anadolu./lajmishqip.net

Publikime te ngjashme