Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK) ka shënuar hapa të rëndësishëm në rritjen e transparencës, veçanërisht përmes publikimit të vendimeve, ndërsa kjo mbetet një sfidë e pazgjidhur për Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK). Këto janë përfundimet kryesore të projektit trevjeçar “Ngritja e Transparencës dhe Integritetit në Sektorin e Drejtësisë”, të prezantuar sot nga Lëvizja FOL në konferencën përmbyllëse të mbështetur nga Bashkimi Evropian.
Drejtoresha ekzekutive e Lëvizjes FOL, Mexhide Demolli Nimani, theksoi se projekti ka ndikuar drejtpërdrejt në llogaridhënie.
“Kemi rritur qasjen në drejtësi, me fokus tek të rinjtë, përmes udhëzuesve praktikë. Projekti ka nxitur publikimin e vendimeve disiplinore për të forcuar besimin publik. Megjithatë, vlen të theksohet se tek KPK ende kemi ngecje evidente në këtë drejtim”, u shpreh ajo.
Detajet teknike u prezantuan nga menaxherja e projektit, Burbuqe Kastrati, e cila konfirmoi hendekun mes dy institucioneve. Ajo bëri të ditur se gjatë vitit 2024, qytetarët kanë parashtruar 124 ankesa disiplinore ndaj gjyqtarëve, ku 94% e tyre (117 ankesa) janë refuzuar, ndërsa janë iniciuar vetëm 9 hetime disiplinore.
“Analiza e vitit 2023 dhe gjetjet e vitit 2024 tregojnë se KGjK ka përmirësuar ndjeshëm publikimin sistematik të vendimeve. Në të kundërt, KPK vazhdon të përballet me të njëjtat probleme: publikimi i agjendave është shpesh i vonuar dhe numri i vendimeve disiplinore të publikuara mbetet i ulët. Kjo krijon një shkëputje mes vendimmarrjes dhe informimit të publikut”, theksoi Kastrati, duke rekomanduar angazhim më të madh nga prokuroria.
Nga ana e institucioneve, Zëvendëskryesuesja e KGjK-së, Arjeta Sadiku, deklaroi se sistemi gjyqësor ka vendosur standarde të reja.
“Për të garantuar qasje të barabartë dhe për të rritur besimin e publikut, KGjK tashmë mban takime online dhe, përmes udhëzimit të ri administrativ, gjykatat publikojnë në kohë reale të gjitha vendimet, me përjashtim të rasteve specifike penale”, tha Sadiku.
Në emër të sistemit prokurorial, anëtari i Këshillit, Visar Krasniqi, pranoi sfidat dhe shpalosi strategjinë 2025-2027, e cila synon rritjen e transparencës. Duke iu referuar faktit se 80% e kërkesave në Agjencinë për Informim dhe Privatësi lidhen me qasjen në dokumente publike, ai theksoi nevojën për ndryshim.
“Nuk jemi të kënaqur, por po punojmë shumë. Kemi paraparë fuqizimin e mekanizmave për përditësimin e portalit dhe krijimin e një njësie të dedikuar për transparencë, që kërkesat të trajtohen në kohë reale. Gjithashtu, synojmë forcimin e sistemit për vlerësimin e performancës dhe disiplinës”, përfundoi Krasniqi. /lajmishqip.net

