Seanca parlamentare është përfshirë nga debate të ashpra mes kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, dhe deputetit socialist, Ardit Bido. Shkëndija u ndez kur Bido akuzoi Berishën se kishte pohuar që liderët e UÇK-së ishin të akuzuar për gjenocid ndaj serbëve, një akuzë, sipas tij, “që nuk e kanë bërë as vetë serbët”.
Reagimi i Berishës ishte i menjëhershëm dhe i prerë. Duke iu drejtuar Bidos, ai e cilësoi deklaratën si një shpikje dhe falsifikim të turpshëm.
“E turpshme për ty. Shpike. Turp të të vijë, falsifikator,” deklaroi Berisha, duke sqaruar se fjalët e tij ishin deformuar plotësisht. “Para jush thashë sikur dhe shqiptarët të kishin kryer krim kundër serbëve apo maqedonasve, do ta dënoja. Nuk thashë kurrë se ka ndodhur. Duhet të kesh fytyrën tënde që të deformosh një deklaratë të tillë,” përfundoi lideri i opozitës./lajmishqip.net