Shtëpia e Bardhë ka bërë publike të hënën atë që e përshkruan si “planin gjithëpërfshirës të Presidentit Donald Trump për t’i dhënë fund konfliktit në Gaza”. Plani parasheh një armëpushim të menjëhershëm, shkëmbim pengjesh dhe të burgosurish, dhe një tranzicion rrënjësor politik e sigurie për Rripin e Gazës.
Plani fillon me një kusht të qartë: pas miratimit nga të dyja palët, lufta ndalon menjëherë. Forcat izraelite do të tërhiqen në një vijë të paracaktuar, duke pezulluar të gjitha operacionet ushtarake. Brenda 72 orëve nga pranimi publik, të gjithë pengjet, të gjallë apo të vdekur, do të kthehen në Izrael. Në këmbim, Izraeli do të lirojë 250 të burgosur të përjetshëm dhe 1700 banorë të Gazës të ndaluar pas 7 tetorit 2023. Për çdo trup pengu të kthyer, do të lirohen eshtrat e 15 palestinezëve.
Në zemër të qeverisjes së re propozohet ngritja e një komiteti teknokratik dhe apolitik palestinez, i cili do të menaxhojë shërbimet publike. Ky komitet do të mbikëqyret nga një organ i ri ndërkombëtar i quajtur “Bordi i Paqes”, që do të kryesohet personalisht nga Donald J. Trump dhe do të përfshijë figura si ish-kryeministri Tony Blair. Ky bord do të menaxhojë fondet për rindërtim derisa Autoriteti Palestinez, pas një reforme të thellë, të jetë gati të marrë kontrollin e plotë.
Për sa i përket sigurisë, plani parashikon demilitarizimin total të Gazës. Anëtarëve të Hamasit që heqin dorë nga armët do t’u ofrohet amnisti, ndërsa atyre që duan të largohen do t’u sigurohet kalim i lirë. E gjithë infrastruktura ushtarake, përfshirë tunelet, do të shkatërrohet nën mbikëqyrjen e monitoruesve ndërkombëtarë. Një Forcë Ndërkombëtare Stabilizimi (ISF), e krijuar në bashkëpunim me partnerët arabë, do të vendoset në Gaza për të trajnuar policinë lokale dhe për të siguruar kufijtë, duke lejuar tërheqjen graduale të Forcave Mbrojtëse të Izraelit (IDF).
Ndihma humanitare do të rifillojë menjëherë dhe pa pengesa përmes OKB-së dhe agjencive të tjera neutrale, duke mbuluar infrastrukturën jetike si spitalet, rrjetin e ujit dhe energjisë. Paralelisht, do të hartohet një plan zhvillimi ekonomik për të krijuar një zonë të veçantë ekonomike dhe për të tërhequr investime, duke u bazuar në modelet e suksesshme të qyteteve moderne në Lindjen e Mesme. Plani thekson se askush nuk do të detyrohet të largohet nga Gaza.
Në planin afatgjatë, këto hapa synojnë të krijojnë kushtet për një “rrugë të besueshme drejt vetëvendosjes dhe shtetësisë palestineze”. Shtetet e Bashkuara do të ndërmjetësojnë një dialog mes palëve për të arritur një horizont politik për bashkëjetesë paqësore, duke u mbështetur edhe në nisma ndërfetare për të promovuar tolerancën./lajmishqip.net