Në një fjalim të mbajtur në Universitetin prestigjioz The New School në New York, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shpalosur strategjinë e qeverisë së tij për menaxhimin e suksesshëm të krizës globale të kostos së jetesës, duke e prezantuar vendin si një model frymëzimi.
Gjatë diskutimit me temë “Mbështetja ndaj qytetarëve në një krizë ekonomike globale: Çfarë mund të mësojë bota nga Kosova”, Kurti theksoi se vendi më i ri në Evropë, i dalë nga një histori shtypjeje brutale, ka arritur rezultate domethënëse pa ngarkuar qytetarët me taksa shtesë.
“Përvoja jonë mund të shërbejë si model, sepse ne ia kemi dalë t’i ndihmojmë ata që kanë më shumë nevojë pa rritur normat e taksave apo borxhin publik,” deklaroi Kryeministri, duke nënvizuar se kjo qasje ofron ide konkrete për politikëbërësit globalë.
Ai shtjelloi strategjinë qeveritare të bazuar në tri shtylla kryesore: kontrollin efektiv të inflacionit, ofrimin e lehtësimit të drejtpërdrejtë për familjet dhe mbrojtjen e fuqisë blerëse të qytetarëve. Kjo strategji përfshiu dyfishimin e mbështetjes për fermerët, subvencionimin e çmimit të energjisë dhe kufizimin e marzhës së fitimit për karburantet për të frenuar rritjet abuzive.
Paralelisht me ndërhyrjet ekonomike, Kurti vuri theksin te masat e thella sociale. “Arsimi universitar në nivelin Bachelor dhe Master tani është falas, kemi dyfishuar buxhetin për ilaçet esenciale dhe, pas më shumë se një dekade, kemi rritur pagën minimale,” shpjegoi ai. Gjithashtu, përmendi reformën që ngushtoi hendekun e pagave në sektorin publik nga 20:1 në 4:1 dhe skemën universale të shtesave për fëmijë.
Kryeministri theksoi se të gjitha këto politika u zbatuan duke ruajtur një disiplinë të hekurt fiskale. “Deficiti ynë buxhetor është më i ulët se para pandemisë dhe borxhi publik mbetet më i ulëti në Evropë, vetëm 17% e BPV-së,” pohoi ai.
Si faktor kyç për këtë sukses, Kurti identifikoi luftën e pakompromis kundër korrupsionit. Sipas tij, përmirësimi me 31 vende në Indeksin e Transparency International ka rritur besimin dhe ka dyfishuar investimet e huaja direkte që nga viti 2021.
Duke përmbyllur, ai siguroi se këto arritje janë vetëm hapat e parë. “Lufta kundër pabarazisë është ende në fillim. Ajo që kemi arritur gjatë katër viteve të fundit është vetëm fillimi, jo fundi i kësaj historie,” premtoi Kurti, duke paralajmëruar zgjerim të mëtejshëm të mbështetjes për qytetarët./lajmishqip.net