Pezullimi i dialogut strategjik: Analistët paralajmërojnë – Kosova në të njëjtën listë me Rusinë e Kinën

1 minute, 44 seconds Read

Vendimi i Shteteve të Bashkuara për të pezulluar dialogun strategjik me Kosovën është cilësuar si zhvillim shqetësues nga ekspertët e fushës dhe analistët politikë.

Ambasada amerikane në Prishtinë njoftoi sot se ky hap u ndërmor për shkak të veprimeve të Qeverisë së Kosovës, të cilat sipas Uashingtonit kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë në vend, duke ndërlikuar bashkëpunimin në prioritetet e përbashkëta.

Qeveria në detyrë reagoi duke thënë se mirëpret kritikat e ShBA-së dhe angazhohet të përmirësojë hapat kur ato janë konkrete.

Profesori i së drejtës kushtetuese, Mazllum Baraliu, theksoi se ky vendim është alarmues dhe duhet trajtuar me seriozitet nga krerët shtetërorë: “Një pezullim i tillë nga shteti më i rëndësishëm dhe aleati kryesor i Kosovës duhet të shihet si sinjal i qartë, që kërkon riparim sa më të shpejtë.”

Edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, reagoi duke shprehur keqardhje dhe shqetësim të thellë, duke e cilësuar dialogun strategjik si mekanizëm të çmuar të bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara. Ajo tha se ruajtja e aleancës me ShBA-të është çështje strategjike që kërkon unitet politik dhe angazhim të përbashkët.

Ndërkohë, Eugen Cakolli nga IKD theksoi se në gati dy dekada të këtij mekanizmi, SHBA e ka pezulluar dialogun strategjik vetëm me katër shtete: Kinën, Rusinë, Gjeorgjinë dhe tani Kosovën. “Renditja e Kosovës në të njëjtën listë me Kinën e Rusinë është mesazhi më i ashpër diplomatik nga SHBA-të dhe një alarm serioz për kredibilitetin ndërkombëtar të vendit,” tha ai.

Ish-ambasadori Lulzim Peci shkroi se ky pezullim ishte një masë e pritur, pasojë e politikave të “papërgjegjshme të VV-së dhe Albin Kurtit, me të cilin po vallëzon edhe Vjosa Osmani”.

Në një reagim tjetër, analisti Shkëlzen Gashi komentoi se “Ambasada e Amerikës në Prishtinë e hapi sot e para fushatën zgjedhore”./lajmishqip.net

Publikime te ngjashme