Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se po konsideron heqjen e shtetësisë së aktores dhe komedianes Rosie O’Donnell, pavarësisht një vendimi të Gjykatës së Lartë prej dekadash që e ndalon specifikisht një veprim të tillë.
Në një postim në rrjetet sociale të shtunën, Trump shkroi se O’Donnell përfaqëson një “kërcënim për njerëzimin”.
“Për faktin se Rosie O’Donnell nuk vepron në interesin më të mirë të vendit tonë, unë po e konsideroj seriozisht heqjen e shtetësisë së saj. Ajo është një kërcënim për njerëzimin”, shkroi ai.

Ai shtoi se O’Donnell, e cila është transferuar në Irlandë që nga janari, duhet të qëndrojë atje “nëse irlandezët e pranojnë”.
Ky përbën kërcënimin më të fundit nga Trump për revokimin e shtetësisë së individëve me të cilët ai ka mospajtime.
Një deklaratë të ngjashme ai e bëri edhe për Elon Musk.

O’Donnell është e lindur në Shtetet e Bashkuara dhe gëzon të drejtën kushtetuese të shtetësisë amerikane. Sipas një vendimi të vitit 1967, presidenti nuk posedon autoritetin për të revokuar shtetësinë e një qytetari të lindur në Amerikë.
Vendimi i O’Donnell për t’u zhvendosur në Irlandë erdhi pasi Trump fitoi përballë Kamala Harris në zgjedhjet presidenciale amerikane.
Në atë periudhë, komediania bëri të ditur se kishte nisur procesin për marrjen e shtetësisë irlandeze bazuar në prejardhjen e saj familjare, duke shtuar se do të kthehej në SHBA vetëm “kur të sigurohet që të gjithë qytetarët të kenë të drejta të barabarta në Amerikë”, raporton lajmishqip.