Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka paralajmëruar se do të mbajë një konferencë për media për të adresuar akuzat e fundit të ish-emisarit amerikan, Richard Grenell. Lajmin e ka konfirmuar këshilltari i saj për media, Bekim Kupina, i cili saktësoi se konferenca do të mbahet menjëherë pas kthimit të Presidentes nga vizita e saj në Shtetet e Bashkuara.
Ky zhvillim vjen pas një përplasjeje verbale publike, ku Grenell e akuzoi Presidenten Osmani për manipulim të fjalëve të Presidentit amerikan, Donald Trump. Akuza lidhet me interpretimin e deklaratës së Trump se ai kishte parandaluar një konflikt të mundshëm mes Kosovës dhe Serbisë.
Në reagimin e tij, Grenell i quajti pretendimet e Presidentes “absurde”, duke insistuar se Trump nuk ka bërë ndonjë deklaratë të re, por i është referuar Marrëveshjes së Uashingtonit. “Turp për Vjosa Osmanin që manipuloi fjalët e Presidentit Donald Trump”, shkroi Grenell në një postim publik.
Konferenca e paralajmëruar nga Presidenca pritet të ofrojë sqarime dhe të qartësojë pozicionin zyrtar të Kosovës lidhur me këtë çështje, raporton lajmishqip.