Ish-nënkryetari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, i është drejtuar me një letër të hapur ish-emisarit amerikan, Richard Grenell, pas akuzave që ky i fundit i bëri Presidentes Vjosa Osmani. Grenell pretendoi se Presidentja Osmani ka manipuluar një deklaratë të Presidentit amerikan, Donald Trump, lidhur me parandalimin e një sulmi serb ndaj Kosovës, ndërsa Kryeziu i ka bërë thirrje Grenellit për respekt dhe kujdes në deklaratat e tij.
Në letrën e tij, Kryeziu thekson se si udhëheqëse e Kosovës, “shtetit më pro-amerikan në botë”, Presidentja Osmani meriton “së paku respekt dhe kortezi minimale”. Ai i kujton Grenellit se aleanca strategjike Kosovë-SHBA është historike dhe i tejkalon dallimet politike momentale. Për të ilustruar këtë, ai liston një sërë veprimesh të Kosovës në mbështetje të politikave të administratës Trump.
Kryeziu shprehet se kosovarët janë të prirur t’u besojnë fjalëve të një Presidenti amerikan, veçanërisht “një Presidenti energjik, të kthjellët, e të qartë në artikulim e synime, çfarë është Presidenti Trump”. Ai hedh poshtë pretendimet se deklarata e Trump ishte për një ngjarje të vjetër dhe shprehu shqetësim që tezat e Grenellit ishin identike me ato të prezantuara më herët nga zyrtari serb, Marko Gjuriq.
Ish-gjyqtari ritheksoi se veprimet agresive të Serbisë janë një kërcënim real për paqen. Në fund, Kryeziu i kujton Grenellit kontributin vendimtar të komunitetit shqiptaro-amerikan në zgjedhjet e fundit në SHBA, duke i kërkuar që ta ketë parasysh këtë mbështetje kur u drejtohet publikisht liderëve të Kosovës, raporton lajmishqip.