Peci ironizon me opozitën pas dështimit të radhës: Afati i 26 korrikut do të sjellë reflektim nga të gjithë

1 minute, 10 seconds Read

Pas dështimit të seancës së 46-të për konstituimin e Kuvendit, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Peci, ka komentuar bllokadën politike me një ton ironik, por njëkohësisht ka paralajmëruar se afrimi i afatit të Gjykatës Kushtetuese do të ndryshojë situatën.

Peci iu referua datës 26 korrik, afatit të caktuar nga Gjykata Kushtetuese për formimin e institucioneve, duke parashikuar se presioni i kohës do të detyrojë partitë të lëvizin nga pozicionet e tyre. “Sa më shumë që afrohet kjo datë, reflektimi do të jetë prej të gjithëve”, deklaroi ai, duke shtuar se tashmë ka vërejtur shenja reflektimi te disa parti politike, pa specifikuar se cilat.

Duke ironizuar me kërkesat e opozitës për debat, Peci tha se “kanë filluar të më pëlqejnë”, pasi sipas tij, Kosovës i duhen shumë seanca për të adresuar problemet. Megjithatë, ai theksoi se për të arritur te debati, fillimisht duhet përmbushur detyrimi kushtetues për formimin e Kuvendit, dhe akuzoi deputetët e partive të tjera për shkelje të Kushtetutës duke mos marrë pjesë në votim.

Pavarësisht kësaj, Peci pranoi se mbetet e paqartë se çfarë saktësisht ka nënkuptuar Gjykata Kushtetuese me afatin 30-ditor dhe se cili do të jetë interpretimi dhe hapat e mëtejmë të saj pas 26 korrikut, raporton lajmishqip.

Publikime te ngjashme