Analisti Ben Andoni ka lëshuar një paralajmërim të fortë se Shqipëria dhe Kosova duhet të përgatiten për skenarin më të keq, përfshirë luftën, duke argumentuar se Serbia po shfaq hapur synimet e saj agresive dhe se incidentet si ai i Banjskës mund të përshkallëzohen.
Në një analizë për A2 CNN, Andoni deklaroi se Beogradi po e përdor paktin e mbrojtjes mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë si justifikim për të avancuar agjendën e tij. Sipas tij, Serbia ka një ushtri shumë potente dhe rreziku i një konflikti nuk është vetëm i mundshëm, por eminent.
“Besoj që na presin kohë shumë të vështira dhe deri në momentin që Serbia të pranojë realitetin që Kosova është shtet i pavarur, ne duhet ta llogarisim jo thjesht incidente si Banjska, por edhe gjëra më të përshkallëzuara,” theksoi Andoni.
Duke komentuar kapacitetet mbrojtëse, ai vlerësoi se Forcat e Sigurisë së Kosovës, pavarësisht respektit, janë “shumë të limituara para ushtrisë serbe”, duke kujtuar se edhe sulmi terrorist në Banjskë u neutralizua nga ndërhyrja e KFOR-it.
Andoni gjithashtu kritikoi atë që e përshkroi si “një lloj nostalgjie” nga pala amerikane për bombardimin e Serbisë, duke përmendur deklarata të ambasadorit Hill dhe djalit të ish-Presidentit Trump, gjë që sipas tij ka dëmtuar pozitën e Kosovës. Ai sugjeroi se aleanca mbrojtëse duhet të zgjerohet, duke përfshirë edhe Bullgarinë, një vend që historikisht “i ka treguar dhëmbët Serbisë”, raporton lajmishqip.