Qytetarët e Prishtinës mund të parkojnë lirshëm në të gjitha zonat e kryeqytetit pa u brengosur për gjoba apo bllokim të veturave. Kjo pasi Gjykata Supreme ka pezulluar rregulloren e Komunës që i jepte fuqi ndërmarrjes publike “Prishtina Parking” për të operuar, duke e lënë atë në një “paralizë operative”.
Si pasojë e këtij vendimi, ndërmarrja ka ndërprerë plotësisht vendosjen e gjobave, biletave 24-orëshe dhe bllokadave. Ky ndalim i veprimtarisë ka shkaktuar një krizë të thellë financiare. Drejtues të ndërmarrjes kanë konfirmuar se të hyrat e tyre kanë rënë për rreth 70 për qind.
Në një përgjigje për mediat, “Prishtina Parking” ka pranuar se dëmi financiar është i madh. “Në mungesë të të hyrave dhe për shkak të pasigurisë ligjore, kemi vështirësi të mëdha në përmbushjen e kërkesave të qytetarëve për intervenime,” thuhet në reagimin e tyre.
Zgjidhja e vetme është miratimi i një rregulloreje të re nga Komuna e Prishtinës. Edhe pse nuk ka një afat ligjor, ekspertët po bëjnë thirrje për veprim të menjëhershëm. Ema Pula nga Instituti GLPS ka deklaruar se “Komuna e Prishtinës duhet të marrë masa të menjëhershme për të parandaluar përshkallëzimin e problemeve”.
Nga Komuna e Prishtinës kanë konfirmuar se një grup punues tashmë po përgatit draftin e ri, i cili pritet të procedohet për miratim së shpejti. Deri atëherë, “Prishtina Parking” mbetet në pritje, duke shpresuar për një zgjidhje të shpejtë për t’iu kthyer normalitetit.