fbpx
HomeLajmeKosovë

Zyra e kryeministrit i reagon Bashkim Ramosajt, “Po e shkel vendimin e Qeverisë”

Urdhri i kryeministrit Hoti për ndaljen e punimeve të rrugës Deçan – Plavë nuk po zbatohet nga kryetari i Deçanit. Ramosaj, që vjen nga partia partnere e Hotit, AAK-ja, thotë se puna po vazhdon në ndërtimin e rrugës me të cilën po merret krejt Kosova që nga fundjava.

Edhe përkundër se kryeministri Avdullah Hoti ka dhënë urdhër për t’u pezulluar punimet e rrugës Deçan – Plavë, ky nuk po përfillet.

Kryetari i Deçanit ka thënë dje se e ka përsëritur sot se punimet e rrugës janë duke vazhduar.

Ndërkaq, nga kabineti i kryeministrit Hoti nuk tregojnë se a e di që punimet mund të kenë vazhduar.

Këshilltari për media i Hotit, Xhavit Beqiri, thotë për Gazetën Express se nëse kryetari Ramosaj po i vazhdon punimet, atëherë s’po e respekton vendimin e Qeverisë.

“Nëse ai thotë se po vazhdojnë, ai nuk e ka respektuar vendimin e Qeverisë. Qëndrimi i kryeministrit është ai i komunikatës. Asnjë presje nuk i hiqet”, ka thënë Beqiri.

E, në komunikatën e djeshme të Kryeministrisë, ku tregohej se Avdullah Hoti kërkon pezullimin e punimeve të rrugës Deçan – Plavë, thuhej se ajo prek një zonë të Manastirit të Deçanit.

““Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti ka kërkuar që të pezullohen punimet në rrugën R108, e cila, në një pjesë të saj, e prek zonën e veçantë të mbrojtur të Manastirit të Deçanit”, është thënë në kumtesën e Zyrës së Hotit, të publikuar të dielën”, shkroi ZKM-ja.

Nisja e punimeve nxiti reagime të manastirit i Deçanit, por edhe në Serbi.

Derisa kryetari i Deçanit thotë se rruga në fjalë do të ndërtohet me çdo kusht, manastiri thotë se ndërtimi i saj në zonën e mbrojtur është në kundërshtim të vendimit të vitit 2016 nga Gjykata Kushtetuese, e cila i dha të drejtë manastirit për 24 hektarë. Kryepeshkopi Sava Janjic thirret edhe në Ligjin për Zonat Speciale të Mbrojtura të miratuar në Kuvendin e Kosovës.

Kryeministri Hoti thotë se rruga Deçan – Plavë do të ndërtohet, por do të gjendet një zgjidhje, pa e prekur zonën e manastirit.

COMMENTS

x