fbpx

Zv. Ministri i MPB-së thotë se për projektligjin për pagat dhe për zyrtarët publik janë marrë komente nga rreth 130 institucione

HomeLajmeKosovë

Zv. Ministri i MPB-së thotë se për projektligjin për pagat dhe për zyrtarët publik janë marrë komente nga rreth 130 institucione

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Bardhyl Dobra, deklaroi të enjten se kanë pranuar komente nga rreth 130 institucione lidhur me Projektligjin për paga dhe atë për zyrtarët publikë.

Të gjitha këto komente tha se po bëjnë të pamundurën që sa më shpejtë të përfundojnë me shqyrtimin e tyre dhe pastaj projektligjet t’i dërgojnë për miratim në Qeveri dhe Kuvend.

“Kemi pranuar komente nga rreth 50 institucione për Ligjin për Zyrtarë Publikë. Kurse për Ligjin për Paga, kemi pranuar komente nga rreth 80 institucione dhe më pak qytetarë pasi nuk preken direkt. Po i trajtojmë me seriozitet që ligji të jetë i mirë. Që nga viti 2012 ky është viti i parë që në raportin e progresit nuk përmendet njolla e zezë e ndërhyrjeve politike në administratë publike”, tha ai.

Ndërsa, sa i përket koeficientit për paga Dobra deklaroi se do të caktohet bazuar në buxhetin e vitit 2023.

“Koeficientet janë caktuar duke marrë për bazë disa kritere, pra është institucioni ku punoni, pozitën dhe përgjegjësinë që keni sikurse edhe kualifikimet. Mandej, koeficienti përcakton vetëm bazën bazë dhe paga bazë nuk mund ta marrë parasysh përvojën. Pra, pagës bazë i shtohen çështje tjera si në këtë rast përvoja e punës”, u shpreh ai në një konferencë për media. /Telegrafi