Zv/kryeministri i Kosovës tregon se Serbia është ajo që po e saboton procesin e dialogut

HomeLajmeKosovë

Zv/kryeministri i Kosovës tregon se Serbia është ajo që po e saboton procesin e dialogut

Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, njëherësh kryenegociator i Kosovës në bisedimet me Serbinë, Besnik Bislimi, ka thënë se përkundër vullnetit dhe angazhimit të palës kosovare në procesin e dialogut me Serbinë, ka një “sabotim apo minim të procesit nga ana e Serbisë”.

Në Komisionin për Integrim Evropian ku raportoi për të arriturat në dialog, liberalizimin e vizave dhe çështje të tjera, zv/kryeministri Bislimi, tha se në takimin e fundit që ka pasur me përfaqësuesin e Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, është planifikuar të jetë takim trilateral, por, pala serbe nuk ka marrë pjesë.

Bislimi tha se takimi trilateral nuk ka ndodhur për arsye se Serbia ka bërë presion për ndërrim të agjendës “që normalisht nga pala kosovare nuk është pranuar”.

“Kemi një sabotim apo minim të procesit nga ana e Serbisë, por, megjithatë për të treguar vendosmërinë e palës kosovare që të jemi aktiv në dialog dhe të punojmë drejt marrëveshjes finale, unë kam shkuar në Bruksel dhe kam pasur dy takime me Lajçak ku kemi diskutuar edhe për hapat e mëtejmë”, theksoi Bislimi.

Ai tha se ideja e takimit trilateral në Bruksel Kosovë-Serbi-BE, ka qenë që të përgatitet terreni për një takim midis kryeministrit kosovar Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiq, me ndërmjetësimin e përfaqësuesit Lajçak, por një gjë e tillë nuk u arrit të konkretizohej, sipas Bislimit, për shkak të Serbisë.

“Ideja e takimit trilateral ka qenë që të përgatitet terreni për takim të radhës, mbase për këtë javë, për nesër, mes dy krerëve të shtetit, por, po ashtu kjo ka dështuar për shkak të mosgatishëmrisë së Vuçiqit që të shkojë në Bruksel. Kurti është deklaruar i gatshëm që sa më shpejtë të fillojë diskutimi për marrëveshjen gjithëpërfshirëse, mirëpo Vuçiq ka dhënë si arsyetim vizitën e Presidentit të Egjiptit i cili pritet të qëndrojë tri ditë në Serbi”, theksoi Bislimi.

Zëvendëskryeministri i parë për integrim evropian, zhvillim dhe dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, është pritur me 14 korrik në Bruksel nga Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Takimi ka shërbyer për të diskutuar hapat e ardhshëm në procesin e dialogut me Serbinë. Lajçak dhe Bislmi kanë postuar në rrjete sociale për këtë takim, duke e konsideruar atë si “një diskutim i gjatë”.

Zëvendëskryeministri Bislimi u shpreh se Kosova do të vazhdojë të marrë pjesë në mënyrë konstruktive dhe aktive në procesin e dialogut.

Lajçak gjatë një konference ndërkombëtare në Dubrovnik, para takimit me Bislimin, ka deklaruar se Serbia dhe Kosova kanë rënë dakord për një takim të një niveli të lartë dhe se disa marrëveshje mes dy vendeve janë gati për t’u nënshkruar, por pa specifikuar se për çfarë bëhet fjalë./aa

COMMENTS

x